Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar fillimin e një faze të re të fushatës së tij kundër trafikimit të drogës, duke përmendur operacione tokësore që do të realizohen në Amerikën Latine.
Kjo nismë ka për qëllim përballimin e rrjeteve të trafikantëve që përdorin rrugë tokësore për të transportuar drogë në Shtetet e Bashkuara. Trump theksoi se, pas sukseseve të mëparshme në luftën kundër drogës që erdhën nga deti, tashmë Uashingtoni po kalon në një dimension të ri të operacioneve ushtarake.
Ai sqaroi gjithashtu se këto sulme mund të shtrihen edhe jashtë Venezuelës, duke synuar më shumë se një vend të vetëm në përpjekjet për të luftuar këtë fenomen.
“Ne neutralizuam 96% të drogës që vinte nga deti dhe tani po fillojmë nga toka. Dhe nga toka është shumë më e lehtë, dhe kjo do të fillojë të ndodhë”, u shpreh Presidenti Trump nga Zyra Ovale, duke theksuar se sulmet tokësore do të jenë një fazë e re e luftës kundër drogës.
Ai gjithashtu shtoi: “Nuk është e thënë domosdoshmërisht të jenë në tokën venezueliane. Njerëzit e tmerrshëm që sjellin drogë në vendin tonë janë shënjestra.”
/5pyetjet.al









