-sidi education-spot_img
2.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Në Shqipëri, spitalet private po gjenerojnë të ardhura të larta

Kryesoret

Në shumicën e vendeve të zhvilluara, spitalet private arrijnë pikën e kthimit të investimit (“break-even”) brenda tre deri në pesë viteve nga fillimi i aktivitetit.

Kjo periudhë lejon amortizimin e investimeve fillestare në infrastrukturë, teknologji dhe staf, ndërkohë që baza e pacientëve konsolidohet përmes sigurimeve shëndetësore private ose bashkëpagesave të rregullta nga shteti.

Në tregje të tilla, spitalet private operojnë në një ekosistem të qëndrueshëm financiar, të mbështetur nga rimbursime publike dhe një popullatë me fuqi paguese të lartë.

Në Shqipëri, ky cikël ka rezultuar shumë më i gjatë, duke iu afruar dy dekadave. Pothuajse të gjitha spitalet private kryesore në vend, përfshirë operatorë të konsoliduar me dekada aktivitet, kanë raportuar humbje të vazhdueshme prej vitesh ose fitime tepër minimale.

Përfaqësues të sektorit pohojnë se kostot e larta operative, pagesat e larta për mjekët, investimet e vazhdueshme në teknologji dhe aftësia e ulët paguese e popullsisë janë faktorët kryesorë që e bëjnë kthimin e kapitalit të vështirë.

Sipas raporteve të spitaleve vendase, kërkesa për shërbime shëndetësore private ndikohet nga një sërë faktorësh: të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve, zhvillimet demografike si rënia e lindjeve, cilësia e shërbimeve publike, kohëzgjatja e listave të pritjes, përdorimi i teknologjisë.

Ky kombinim faktorësh po e kufizon rritjen e tregut privat të shëndetësisë, duke e bërë të vështirë arritjen e volumit të nevojshëm për mbulimin e kostove.

Në vendet e zhvilluara, pjesa më e madhe e të ardhurave të spitaleve private vjen nga sistemet e sigurimeve shëndetësore publike ose private, të cilat mbulojnë një pjesë të çmimeve për pacientët.

Në Shqipëri, përkundrazi, shërbimet private paguhen plotësisht nga pacientët, përmes pagesave direkte (“out of pocket”), apo sigurimet e shëndetit në shoqëritë private.

Në kushte ku fuqia blerëse e popullsisë është e ulët dhe inflacioni ka ngritur ndjeshëm kostot e jetesës, spitalet private përballen me presion për të mbajtur çmimet sa më të ulëta, duke sakrifikuar marzhin e fitimit.

Por, operatorët pohojnë se këto çmime nuk i mbulojnë më kostot e rritura të materialeve mjekësore, që importohen thuajse plotësisht, dhe as shpenzimet për personelin mjekësor dhe administrativ, që janë rritur për të frenuar largimin e profesionistëve drejt jashtë vendit.

Në të njëjtën kohë, numri i lindjeve është në rënie, duke ndikuar drejtpërdrejt klinikat obstetrike, ndërsa emigracioni dhe plakja e popullsisë kanë ulur kërkesën për shërbime të tjera.

Këta faktorë të kombinuar kanë bërë që spitalet private të funksionojnë me fitime minimale ose humbje të vazhdueshme, pavarësisht investimeve të mëdha në infrastrukturë, aparatura dhe staf.

“Hygeia”, një investim me kapital grek, prej rreth 60 milionë eurosh, që u nxit nga shpenzimet e mëdha të shqiptarëve në Greqi për t’u kuruar dhe u hap në vitin 2007, rezultoi në mënyrë të përhershme me humbje.

Spitali u shit në vitin 2018 tek “American Hospital” për vetëm 1 milion euro, ndërsa blerësi mori përsipër detyrimet e “Hygeia Hospital Tirana” (që u riemërtua në “International Hospital”), që arritën në atë kohë në 29.5 milionë euro në total.

Pasi operoi për disa vite si e ndarë, në shtator 2024, “American Hospital” përthithi “International Hospital”, në mënyrë që të përmirësonte performancën e përgjithshme financiare dhe sinergjitë operacionale.

“International Hospital” e mbylli rrugëtimin me një fitim modest, që e arriti vetëm në vitin 2023. “International Hospital” ka kontribuar me 17.2 miliardë lekë të ardhura dhe 18.5 milionë lekë fitime për periudhën ndërmjet datës së blerjes (në 2018-n) dhe datës së raportimit, sipas raportit të aktivitetit të “American Hospital”.

Vetë “American Hospital”, i krijuar në vitin 2006, ka deklaruar për herë të parë fitime në vitin 2024, prej 170 milionë lekësh.

Në vitin 2024, operatori qarkulloi 5.6 miliardë lekë, me rritje 3.2% me bazë vjetore.

Ky ishte viti i parë i bashkimit me “International Hospital” (ish-Hygeia), të cilin e përthithi në fund të vitit 2023, teksa e kishte në pronësi prej shtatë vitesh, me synim rritjen e sinergjive, optimizimin e burimeve njerëzore dhe materiale, si dhe rritjen e bashkëpunimit mes spitaleve të grupit.

Dy spitalet kanë filluar të operojnë si një i vetëm nga shtatori 2024. Nëse bashkimi me “International Hospital” sh.a. do të kishte përfunduar në ditën e parë të vitit financiar, të ardhurat e Shoqërisë për vitin 2024 do të ishin 7.6 miliardë lekë, sipas raportit të aktivitetit (një vit më parë, qarkullimi vjetor i dy spitaleve së bashku ishte 8.3 miliardë lekë).

Nga bashkimi i dy filialeve, numri i të punësuarve i “Spitalit Amerikan” u rrit me 20%, duke arritur në 1636 punonjës.

“German Hospital International” kishte xhiro prej 673 milionë lekësh, me rritje 25% duke u ngjitur për herë të parë në spitalin e dytë më të madh në vend. Spitali deklaroi një fitim minimal prej 6.4 milionë lekësh.

Spitali “Salus” raportoi 647 milionë lekë të ardhura, me rënie 2.3%, duke zbritur në vendin e tretë. Kompania deklaroi humbje prej 71 milionë lekësh. “Salus” ka raportuar fitime vetëm në vitin 2021.

“Spitali Europian” u rrit me ritme pak më të përshpejtuara prej 19% duke arritur një qarkullim vjetor prej 560 milionë lekësh. Ai vijon të deklarojë humbje, që në vitin 2024 ishin 88 milionë lekë.

Tregtimi me shumicë i barnave, përmirësohen normat e fitimit

Barnat janë një nga produktet më tipike të kërkesës joelastike në ekonomi. Pavarësisht rritjes së çmimeve apo ndryshimeve në të ardhurat e konsumatorit, nevoja për to mbetet e qëndrueshme. Kjo e bën sektorin farmaceutik një nga më rezistentët ndaj krizave ekonomike dhe luhatjeve të tregut.

Në Shqipëri, depot farmaceutike vazhdojnë të jenë ndër sipërmarrjet më të mëdha dhe me norma fitimi të qëndrueshme.

Gjatë vitit 2024, pjesa më e madhe e operatorëve kryesorë regjistruan rritje të lehtë të normës së fitimit, pasi zgjerimi i të ardhurave tejkaloi ritmin e rritjes së kostove. Marzhi neto i fitimit u luhat nga 4% deri në 7%, në varësi të strukturës së kompanisë.

Ky përmirësim lidhet me rritjen e qëndrueshme të kërkesës për produkte farmaceutike, veçanërisht për barnat kronike dhe suplementet, si dhe me stabilizimin e furnizimeve pas periudhës së paqëndrueshme ndërkombëtare.

Operatorët më të mëdhenj kanë përfituar gjithashtu nga konsolidimi i rrjeteve të shpërndarjes dhe rritja e efikasitetit logjistik.

Në anën tjetër, “Profarma”, si i vetmi prodhues vendas i barnave, shënoi një normë fitimi rreth 15%, shumë më e lartë se ajo e tregtarëve me shumicë. Kombinimi i prodhimit lokal dhe rrjetit të shpërndarjes i mundëson kompanisë të kontrollojë më mirë kostot dhe të përfitojë nga kërkesa e qëndrueshme në tregun vendas./ Monitor

 

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit