Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj dy gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Gotcha Lordkipanidze nga Gjeorgjia dhe Erdenebalsuren Damdin nga Mongolia, për rolin e tyre në hetimin e krimeve të mundshme të luftës të Izraelit, veçanërisht gjatë luftës në Rripin e Gazës.
Vendimi u mor pas refuzimit të një kërkese të Izraelit që kontestonte juridiksionin e GJNP-së mbi këto hetime. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se këto sanksione janë vendosur për të mbrojtur sovranitetin e SHBA-së dhe Izraelit, duke argumentuar se GJNP po shkelte këtë sovranitet dhe po vendoste nën hetim shtetasit amerikanë dhe izraelitë.
Sanksionet përfshijnë ndalimin e hyrjes së gjyqtarëve në territorin e SHBA-së dhe ngrirjen e çdo transaksioni financiar që mund të kenë ata në ekonominë amerikane.
Nga ana tjetër, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka reaguar kundër këtyre sanksioneve, duke i cilësuar ato si “të papranueshme”. Ajo ka bërë të qartë se do të vazhdojë të kryejë hetimet e saj pa u ndikuar nga këto masa.









