-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gjyqtarët letër KLGJ-së: Jemi nën presion, kemi mbingarkesë

Kryesoret

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i është drejtuar me një rezolutë Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke ngritur shqetësime serioze dhe urgjente mbi funksionimin e gjykatave, veçanërisht atyre të Tiranës dhe Apelit.

Në dokument theksohet se mbingarkesa e jashtëzakonshme e çështjeve, mungesa e gjyqtarëve, problemet e sigurisë dhe standardet jorealiste të vlerësimit po cenojnë drejtpërdrejt pavarësinë e gjyqësorit, mirëqenien e gjyqtarëve dhe të drejtën e qytetarëve për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

REZOLUTA

Drejtuar: Këshillit të Lartë Gjyqësor

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, në ushtrim të rolit të saj përfaqësues dhe në përmbushje të misionit për mbrojtjen e pavarësisë, dinjitetit dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor, në mbledhjen e saj të fundit të dates 10.12.2025, vendosi t’i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për të paraqitur shqetësime serioze dhe urgjente lidhur me funksionimin e disa gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, veçanërisht Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Në këtë moment, këto gjykata janë ato që përballojnë ngarkesën më të madhe të çështjeve të juridiksionit përkatës në shkallë vendi. Gjithashtu, i njëjti shqetësim vlen edhe për gjykatat administrative.

Që prej fillimit të zbatimit të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting), nga viti 2018 e në vijim, këto gjykata, dhe jo vetëm, janë përballur me një situatë mbingarkese të paprecedentë, të zgjatur në kohë, të shoqëruar me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, si në nivelin e gjyqtarëve ashtu edhe të administratës gjyqësore.

Kjo situatë ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar drejtpërdrejt respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetin dhe eficiencën e administrimit të drejtësisë, si dhe perceptimin dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor. Kjo situatë është shoqëruar madje dhe me raste ekstreme të cenimit të jetës së gjyqtarëve, deri në rastin tragjik të kolegut tonë gjyqtar z. Astrit Kalaja.

Njëkohësisht, mbingarkesa strukturore dhe afatgjatë (puna me orare përtej atij zyrtar, angazhimi me punë gjatë fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare e pushimeve vjetore), ka cenuar rëndë mirëqenien fizike, psikologjike dhe sociale të gjyqtarëve dhe të stafit administrativ, duke krijuar kushte pune që bien ndesh me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për ushtrimin e pavarur dhe dinjitoz të funksionit gjyqësor. Mirëqenia e gjyqtarëve njihet tashmë edhe në dokumentet e Kombeve të Bashkuara si element thelbësor për garantimin dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe cilësisë së drejtësisë (Deklarata Nauru mbi Mirëqenien e Gjyqësorit datë 25.05.2024). Fluksi i jashtëzakonshëm i çështjeve, rishortimet e vazhdueshme dhe mungesa e infrastrukturës kanë vendosur gjyqtarët përballë një presioni të vazhdueshëm profesional dhe njerëzor, duke i cenuar në ushtrimin e pavarur dhe cilësor të funksionit gjyqësor.

Në këtë kontekst, Shoqata parashtron problematikat konkrete të mëposhtme dhe paraqet kërkesat përkatëse ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor, si organ kushtetues i qeverisjes së sistemit gjyqësor.

  1. Problematikat e konstatuara
  2. Siguria institucionale në gjykata

1.1. Kontrolli i personave që hyjnë në ambientet e gjykatave kryhet nga persona të patrajnuar dhe pa standarde të unifikuara sigurie, me trajtim finanaciar të ulët. Për pasojë punonjësit e sigurisë caktohen punonjës të sektorit të shërbimeve mbështetëse të cilet rekrutohen me pagën e përafërt me pagën minimale në shkallë vendi, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të kryer këtë shërbim në mënyrë efikase.

1.2. Mungon ndarja funksionale e ambienteve të brendshme ndërmjet:

  • gjyqtarëve;
  • stafit administrativ;
  • palëve në proces dhe publikut.

1.3. Në shumicën e ambienteve gjyqësore mungojnë pajisjet teknike të kontrollit të sigurisë (detektorë metalikë, mjete skanimi etj.).

1.4. Nuk ka personel të dedikuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore në sallat e gjykimeve.

  1. Ngarkesa e punës dhe menaxhimi i çështjeve

2.1. Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përballen aktualisht me një ngarkesë mesatare që tejkalon 1100 çështje për gjyqtar (ngarkesë kjo tashmë sistematike prej më shumë 7 vjetësh). Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm po ashtu përballet me një ngarkesë të lartë të çështjeve të prapambetura, duke e bërë të pamundur realizimin e standardit kushtetues të gjykimit brenda afateve të arsyeshme. Radha e shqyrtimit të ankimeve të zakonshme në këtë gjykatë është ende në vitet 2017–2018, ndërkohë që rreth 50.000 dosje presin shqyrtimin.

Kjo ngarkesë vjen si pasojë e:

  1. a) organikës së paplotësuar të gjyqtarëve, e cila deri në fund të vitin 2022 për gjykatën e shkallës së pare ka qenë rreth 52% sipas raportit të ILD-së datë 29.09.2023 dhe vijon të jetë e tillë, ndërsa për gjykatën e apelit ka një numër shumë të vogël gjyqtarësh vetëm 32 nga 78 që duhet të kishte. Kohët e fundit KLGJ-ja, me delegimin dhe ngritjen në detyrë të disa gjyqtarëve nga gjykata e shkallës së parë, ka rritur numrin e gjyqtarëve në këtë gjykatë, por efektiviteti i kësaj vendim-marrje mbetet për t’u vlerësuar në kushtet e mungesës së infrastrukturës me salla gjykimi, zyra gjyqtarësh dhe staf administrative mbështetës.
  2. b) mungesës së stafit administrativ shoqëruar me mangësi në trajnimin e tyre profesional, veçanërisht të sekretarëve dhe ndihmësve ligjorë, duke sjellë:
  • vonesa procedurale;
  • angazhim të gjyqtarëve në detyra administrative, në kundërshtim me natyrën e funksionit të tyre.

2.2. Transferimet e gjyqtarëve të kryera nga KLGJ-ja gjatë viteve të fundit nuk kanë prodhuar rritje reale të kapaciteteve gjyqësore, për shkak se janë shoqëruar me ngritje në detyrë dhe lëvizje paralele të gjyqtarëve në gjykata të tjera.

2.3. Rishortimi i çështjeve të mbetura nga gjyqtarët e larguar ose të transferuar ka krijuar:

  • rritje të menjëhershme të ngarkesës për gjyqtarët aktualë dhe cenimin e mirëqenies së tyre fizike, psikologjike, emocionale, duke i vënë përballë një situate të vazhdueshme për gjykimin e çështjeve tej kapaciteteve të mundshme njerëzore dhe përballjen me presionin e palëve, për shkak të pamundësisë së respektimit të afateve ligjore të gjykimit të çështjeve dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Gjyqtarët përballen me menaxhimin e një situate të jashtëzakonshme, që nuk ka ardhur për faj të tyre;
  • vonesa të mëtejshme në shqyrtimin e çështjeve;
  • pakënaqësi dhe mungesë besimi nga ana e palëve në proces.

2.4. Transferimet, përfshirë edhe ato të përkohshme, nga një seksion në një seksion tjetër brenda së njëjtës gjykatë, kanë sjellë rishortim çështjesh sipas vendimit nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së dhe ndërprerje të vazhdimësisë së gjykimit e për pasojë ngarkesë joproporcionale mes gjyqtarëve.

2.5 Nuk ka mjaftueshëm salla për të zhvilluar gjykimet në gjykata. Kjo ka sjellë si pasojë cenimin e cilësisë dhe transparencës së procesve gjyqësore në raport me palët. Godina e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është krejtësisht e papërshtatshme, duke qenë se mungojnë hapësirat e nevojshme për salla gjyqi (ka vetëm 8 salla dhe me kalimin e gjyqtarëve të rinj në këtë gjykatë bëhet tejet e vështirë, në mos e pamundur, që gjyqtarët të zhvillojnë seanca gjyqësore), ka mungesë hapësire për arkiva, akomodim të gjyqtarëve dhe stafit ndihmës, mungesë të ambienteve të përshtatshme për avokatët, palët ndërgjyqëse, prokurorët, të paraburgosurit si dhe për qytetarët.

  1. Vlerësimi dhe pëgjegjësia e gjyqtarëve

3.1. Vendimi nr. 433, datë 22.07.2025, i Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për përcaktimin e afateve standarde minimale kohore dhe standardeve minimale sasiore”, parashikon kritere të cilat, në kushtet aktuale të mbingarkesës strukturore, rezultojnë objektivisht të parealizueshme për një pjesë të konsiderueshme të gjykatave, veçanërisht për ato të Tiranës. Ky vendim parashikon mundësinë e gjykatave për të vendosur afate tej atyre të parashikuara në të , sipas specifikave të tyre, duke i deleguar kompetencën për të sanksionuar këto rregulla Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, të secilës gjykatë. Megjithatë, vlerësojmë se ky mekanizëm krijon mundësinë që gjykata të ndryshme të vendosin rregulla të ndryshme mbi afatet e gjykimit dhe standartet minimale sasiore, për rrjedhojë shkallë të ndryshme vlerësimi. Kjo krijon premisën për pabarazi në trajtimin e gjyqtarëve në shkallë vendi .

Kjo sjell për pasojë:

  • trysni dhe presion ndaj gjyqtarëve;
  • subjektivizëm në procesin e vlerësimit;
  • rrezik për ushtrimin e pushtetit diskrecional nga organet vlerësuese dhe kontrolluese;
  • dekurajim të ushtrimit normal të funksionit gjyqësor, për shkak të kritereve jo të qarta; jotranspartente dhe jo të unifikuara të vlerësimit të gjyqtarëve.

Vendimi nr. 433/2025, shton klimën e trysnisë dhe presionit ndaj gjyqtarëve për të arritur afate jorealiste për kohën, dhe për pasojë cenon cilësinë e gjykimeve dhe në tërësi performancën e gjykatës. Deri tani gjyqtarët kanë treguar përgjegjshmëri dhe angazhimin maksimal në evadimin e një numri të konsiderueshëm dosjesh, i cili tejkalonte ndjeshëm standardet sasiore të ngarkesës, të cilat ishin në fuqi sipas Vendimit nr. 261/2, datë 14.04.2010, të KLD-së. Në këtë situatë të një krize komplekse, për shkak të ngarkesës dhe backlog-ut të mbivendosur prej disa vitesh, KLGJ-ja duhet të gjejë mekanizma për të rritur kapacitetet në gjykata, në vend të implementimit të një akti nënligjor shumë të kontestuar paraprakisht nga trupa gjyqësore. Ky akt nënligjor nuk kontribuon në mbështetjen e gjyqtarëve dhe as në një menaxhim më të mirë të kohës gjyqësore, por në rritjen e presionit ndaj tyre, si dhe në cenim të pavarësisë së brendshme të gjyqtarëve. Një rregullim i tillë nënligjor duhet të përputhet me kuadrin ligjor, realitetin objektiv të gjykatave, si dhe me praktikat me të mira ndërkombëtare për të përcaktuar, në funksion të sistemit të vlerësimit dhe mbikëqyrjes së gjyqtarëve, afate kohore dhe standarde sasiore që janë të arsyeshme, por dhe të mundshme, sidomos në situatën aktuale, për t’u realizuar. Për këto arsye, ky vendim duhet të rishikohet dhe të merren në konsideratë opinionet e trupës gjyqësore, të bëra prezent pranë KLGJ-së me komunikimet e mëparshme elektronike.

3.2. Standardi 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore, i vendosur mbi bazën e raportit të ILD-së, të datës 29.09.2023, dhe i miratuar nga KLGJ-ja, nuk është proporcional dhe as realist në kushtet e një ngarkese pune të jashtëzakonshme, që ka filluar prej më shumë se shtatë vitesh dhe që vijon të jetë e tillë. Madje, kjo është konstatuar edhe nga KLGJ-ja në rastet e kërkesave të ILD-së për masa disiplinore. Presioni i vazhdueshëm për respektimin e këtyre afateve cenon pavarësinë funksionale të gjyqtarit dhe të sistemit gjyqësor, që duhet të garantohet jo vetëm ndaj pushteteve të tjera, por edhe brenda vetë sistemit.

  1. Kërkesa dhe propozime
  2. Në lidhje me sigurinë institucionale

1.1. Rritja e numrit të punonjësve të trajnuar për garantimin e sigurisë në gjykata dhe përmirësimi i statusit të tyre financiar.

1.2. Vendosja e detektorëve dhe pajisjeve të tjera të kontrollit në hyrjet e gjykatave.

1.3. Krijimi i ambienteve të ndara dhe të sigurta për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë.

1.4. Sigurimi i personelit të dedikuar për ruajtjen e rendit në sallat e gjykimit.

1.5. Krijimi i ambienteve të reja per salla gjykimi.

  1. Në lidhje me ngarkesën dhe menaxhimin e çështjeve

2.1. Plotësimi në mënyrë emergjente i vendeve vakante të gjyqtarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Me qëllim plotësimin sa me shpejt të vendeve vakante, por edhe në funksion të mos cënimit të pavarësisë së brendshme të sistemit gjyqësor, propozojmë përshpejtimin e proceseve të vlerësimit të gjyqtarëve dhe mundësisht kryerjen e këtyre vlerësimeve përpara se gjyqtarët të hyjnë në proceset e ngritjes në detyrë apo të lëvizjeve paralele.

2.2. Në gjykatat e shkallës së pare propozohet mosshortimi i çështjeve të dorëzuar nga gjyqtarët për shkak të promovimit dhe lëvizjes paralele tek gjyqtarët aktualë të mbingarkuar, deri në emërimin efektiv të gjyqtarëve të rinj. Kjo kërkon eventualisht një ndërhyrje në vendimin nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së.

2.3. Përmirësimi i mekanizmave nënligjorë, vendimit nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së, për të shmangur rishortimin e çështjeve në rast transferimi nga një seksion në një seksion tjetër brenda të njëjtës gjykatë.

2.4. Shtimi i stafit administrativ, veçanërisht i sekretarëve gjyqësorë, trajnimi i tyre për të përmirësuar nivelin profesional, shoqëruar me përmirësimin e trajtimit financiar.

2.5 Implementimi i një sistemi të digitalizuar në gjykata, që do të rriste ndjeshëm eficiencën dhe efektivitetin në menaxhimin e çështjeve gjyqësore.

  1. Në lidhje me vlerësimin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve

3.1. Përcaktimi i një ngarkese reale, objektive dhe të përballueshme çështjesh për çdo gjyqtar, duke garantuar një ndarje të drejtë dhe të barbartë mes tyre në shkallë gjykate dhe vendi.

3.2. Në lidhje me vendimin nr. 433, datë 22.07.2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për përcaktimin e afateve standarde minimale kohore dhe standardeve minimale sasiore”, vlerësojmë të përshtatshme dhe në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore, në kuadër të propozimit për ndryshimin e këtij vendimi, të parashikohen rregullime në lidhje me standartet që normojnë veprimtarinë e gjykatave në një situatë të jashtëzakonshme dhe/ose pezullimin e zbatimit të tij, gjatë periudhës tranzitore të mbingarkesës strukturore, deri në përmirësimin e situatës përmes plotësimit të vakancave dhe arritjen e ngarkesë reale të punës së gjyqtarëve sipas pikës 3.1.

3.3. Moszbatimi i standardit 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore për aq kohë sa vazhdon situata e jashtëzakonshme e ngarkesës në punë.

3.4 Hartimi dhe zbatimi i një strategjie të unifikuar komunikimi institucional, me qëllim informimin transparent dhe objektiv të publikut mbi problematikat reale me të cilat përballet aktualisht sistemi gjyqësor, në funksion të ndërgjegjësimit mbi shkaqet e vonesave në gjykim dhe të forcimit të besimit të publikut në drejtësinë.

III. Përfundime

Për sa më sipër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të ndërmarrë masa konkrete dhe të menjëhershme për adresimin e problematikave të mësipërme, në funksion të garantimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, mirëqenies së gjyqtarëve dhe ofrimit të një drejtësie cilësore, efektive dhe të besueshme për qytetarët. Shoqata shpreh gadishmërinë për të bashkëpunuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor në adresimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve të mësipërme.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit