Së pari mirë se keni ardhur këtu në Kryeministri. E them çdo herë në përsëritjen e kësaj ceremonie tanimë tradicionale, që ky është momenti kur kjo sallë ka brenda më shumë tru sesa asnjëherë tjetër.
Është një ceremoni tradicionale që është dhe momenti më i bukur i fundvitit për mua këtu në këtë zyrë, sepse besoj që nuk ka privilegj më të madh sesa të kesh detyrën të vlerësosh mundin, përpjekjen dhe rezultatet e njerëzve si ju.
Sot, ju keni plotësisht të qartë se çfarë përfaqëson suksesi juaj. Me siguri keni të qartë pjesën që ka të bëjë me prindërit. Keni të qartë pjesën që ka të bëjë me vëllezërit, me motrat, me gjyshen, gjyshin, të cilët pa diskutim, rezultati juaj i bën shumë të lumtur, por nuk besoj se keni plotësisht të qartë atë që ky rezultat dhe ky sukses do të thotë për shoqërinë tonë, do të thotë për të gjithë brezin tuaj dhe s’ma ha mendja se juve e mendoni se çfarë do të thotë për mua personalisht.
Unë besoj që për ne të gjithë si njerëz, pavarësisht moshës, pavarësisht statusit, pavarësisht vendndodhjes, shembujt janë shumë të rëndësishëm. Shembujt janë shumë të rëndësishëm për të na nxitur që të vazhdojmë më tutje. Dhe shembujt na nxisin në forma të ndryshme dhe nga drejtime të ndryshme. Shembulli i një fqinji që mbjell lule dhe bën që oborri i tij të duket bukur, na nxit që edhe ne të mbjellim lule, që të bëjmë të bukur oborrin tonë dhe kështu me radhë.
Dhe besoj që shembujt na ndikojnë dhe i kemi shumë të nevojshëm.
Shembulli juaj, mua personalisht, edhe këtë nuk është se e them për herë të parë, e them sa herë ndodh kjo ngjarje, sepse është diçka që e përjetoj realisht dhe ndjej një kënaqësi shumë të madhe kur duhet të firmos gjithë ato çertifikatat që shoqërojnë medaljen, pasi mundohem të marr me mend jetën tuaj, mundohem të marr me mend familjet, mundohem të marr me mend se sa shumë prej jush jetoni në familje krejt të zakonshme ose patjetër disa prej jush jetojnë në familje që kanë vështirësi reale për të arritur fundin e muajit. Dhe thënë kjo, i keni të gjitha justifikimet për të mos dalë me medalje ari, i keni gjithë justifikimet, po t’i kërkoni justifikimet, për të mos dalë me rezultate të mira. I keni justifikimet madje edhe për të mos shkuar në shkollë fare.
Por dallimi i madh që bëni ju, është pikërisht ky; që nuk shkoni në kërkim të justifikimeve, po shkoni në kërkim të suksesit.
Dhe për këtë arsye, juve jeni shembull frymëzues edhe për mua personalisht dhe unë ju falënderoj me mirënjohje për këtë.
Më thanë që këtu ka një djalë që vjen nga Pogradeci dhe është vëllai binjak i një djali tjetër që nuk e merr medaljen e artë njësoj si ky i pari, sepse ka marrë vetëm një 9. Është një 9 që faktikisht bën që në atë shtëpi ku janë dy vëllezër binjakë ekselentë, sot të shkojë vetëm një medalje. Nuk dua t’i them djalit që do marrë medaljen asgjë, po duhet t’i them atij që nuk do ta marrë medaljen, që ajo 9-ta nuk e bën aspak që të ndihet i dyti pas të vëllait. Dhe unë qofsha i gabuar, po unë kam bindjen që ajo 9 do ta ndihmojë që në pjesën tjetër të rrugës ta kalojë vëllain.
Do përpiqem që të gjej një zgjidhje edhe për vëllain. Nuk i japim dot një medalje, se nuk na takon, por do ta gjejmë një zgjidhje që edhe ai të mos mjaftohet vetëm me fjalët e tua por ta ketë një shenjë për ta lënë në shtëpi për prindërit, edhe për ata që do vijnë nesër. Ju tani jeni akoma në një fazë që nuk e mendoni që nesër do keni fëmijë dhe do keni histori për t’iu treguar fëmijëve. Po s’ka problem se këtë e mendoj unë, kështu që do ta gjejmë një zgjidhje.
Dua të them se sot ne kemi numrin më të madh të medaljeve të arta në gjithë këtë periudhë që kurse kemi krijuar këtë event tradicional. Ajo që na kënaq më shumë është që ky numër i rritur medaljesh të arta përkon edhe me numrin e rritur të studentëve shqiptarë që arrijnë të hyjnë në universitetet më prestigjioze të botës, por nga ana tjetër përkon edhe me çfarë kemi marrë së fundmi nga testimet që janë bërë. Juve, natyrisht, jeni ajka e ajkës, por në të gjitha rastet, ajka e ajkës flet për vete, por flet edhe për rritjen e cilësisë së përgjithshme të produktit.
Natyrisht që medalja juaj është rezultat i përpjekjes suaj personale, e një përpjekjeje që është e përditshme, edhe që është e vështirë, e tha përpara meje vajza që në mjedisin e ditëve të zakonshme dhe e njerëzve të zakonshëm, se ju nuk jeni njerëz të zakonshëm, është e vështirë të mbrosh pozicionin tënd, kur pozicioni yt është një pozicion i veçantë, edhe të mbrosh pozicionin e një nxënësi me dhjeta, që do të thotë një të riu apo një vajzë e të re, që zgjedh të studiojë edhe ta kufizojë veten nga të tjera aktivitete nuk është aspak e lehtë.
Ju e dini shumë mirë që në klasë keni shokë dhe shoqe shumë të zgjuar, që nuk janë sistematike dhe nuk janë disiplinuar si ju, por që gojën e kanë shpatë, edhe me siguri shpata e tyre ja u ka prekur edhe juve herë pas here qafën duke përqeshur me dashamirësi ose dhe pa dashamirësi dhjetat tuaja, por juve nuk keni ndryshuar mëndje dhe keni vazhduar të bëni të njëjtën gjë dhe edhe keni vazhduar të merrni rezultatin maksimal.
Por përtej personales, kjo s’diskutohet, që është edhe një arritje ku prindërit kanë rolin e tyre, e kanë rolin e tyre, qoftë kur kujdesen maksimalisht për mësimet, qoftë kur kujdesen maksimalisht që juve të mos iu mungojnë gjërat kryesore dhe për këtë nuk kanë kohë të merren me mësimet tuaja, se duhet të merren me dy palë punë, po themi. Po e kanë meritën e tyre, edhe kur për shkaqe që i dini vetëm ju dhe i di familja juaj, nuk janë gjendje t’ju japin shumë çka nga gjërat që bashkëmoshatarët tuaj i kanë.
Të gjitha këto janë kushte të ndryshme, por ama nga të gjitha këto rrethana, forca juaj është që keni marrë anën e mirë. Keni marrë anën që ju çon tek suksesi, sepse një prind shumë i përkushtuar mund të bëhet shkak që fëmija të thotë jo, nuk dua më, se u çmenda apo jo?
Dhe në këtë përpjekje, merita më e madhe pastaj është që me siguri juve keni arritur edhe të dominoni mbi rrjetet sociale dhe mbi tundimin e asaj pasqyrës së telefonit.
Jam i sigurt që shumë prej jush, në mos të gjithë e keni një telefon, por nuk ju çon telefoni juve ku do vetë, po e çoni ju telefonin ku doni vetë. Dhe kjo prapë është forcë e madhe në këtë kohë.
Dhe e fundit është sigurisht roli i atyre mësuesve që kanë qenë vendimtarë për ju. Mund të jetë një, mund të jenë dy, mund të jenë disa, janë dhe ata pjesë e këtij rezultati dhe e këtij suksesi. Unë uroj që juve të gjitha këto t’i mbani parasysh, jo sot, se sot i keni parasysh, po t’i mbani parasysh edhe më vonë. Edhe të jeni të vetëdijshëm se në fund të ditës asgjë nga ato që arrijmë, nuk do të arrihej nëse nuk do të ishin disa njerëz të tjerë më afër ose më larg, që na e bëjnë këtë të mundur.
Tani vazhdon pjesa tjetër, edhe nuk bëhet më e lehtë gjëja, bëhet më e vështirë sa për informacion. Bëhet më e vështirë, por në fund të ditës, asgjë nuk është e vështirë nëse ëndrra që ti sheh me sy hapur e ka forcën që të të tërheqi pas saj dhe në majë nuk arrin të gjithë, në majë arrijnë ata, që arrijnë të mos dorëzohen gjatë gjithë vështirësive që ka rruga drejt majës dhe normalisht, nuk dorëzohet kush është gati të paguajë çmim për ëndrrën që ka.
Ëndrra shohim të gjithë, po ata që i realizojnë janë ata që janë gati të paguajnë çmimin, dhe ëndrra sa më e madhe, aq më të lartë e ka çmimi. Çmimin e sakrificës, çmimin e shpenzimit të energjisë, çmimin e luftës me veten edhe me të tjerët, kur të tjerët bëhen pengesë.
Shumë faleminderit për atë që jeni, për atë që bëni. Me gjithë zemër, ju uroj të arrini gjithçka që doni, kudo që të jeni dhe shpresoj shumë që në mos të gjithë, disa prej jush të dëshirojnë që çfarë do të mësojmë më tej, çfarë do të jemi në gjendje të kuptojnë më tej, t’ia vëmë në dispozicion vendit nga dolën.
Ndërkohë që, ata të tjerët që nuk do ta dëshirojnë këtë, nuk do bëjnë asnjë mëkat se ne jemi në fund të ditës fëmijë të kësaj bote, edhe të një Zoti, që është Zoti i gjithë botës, jo i një vendi apo një vendi tjetër, por megjithatë edhe në qofshin më larg të mos harrojnë asnjëherë se s’do kishin shkuar dot askund, po të mos ishte ky vend që i nxori.
Maturantët ekselentë nderohen me Medaljen e Artë në Kryeministri









