Policia italiane ka publikuar pamjet e operacionit dhe përgjimeve të kryera ndaj bandës së “skifterëve” shqiptarë, që bënin kërdinë në grabitje të banesave në Verona dhe rajone të tjera, duke u kthyer në terror për qytetarët venda.
Katër prej tyre u arrestuan gjatë aksionit, ndërsa janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash cash të vjedhura, bizhuteri floriri, ora luksoze, monedha, pije alkoolike të shtrenjta, pajisje, kasaforta dhe mjete të tjera që shërbenin për bastisjet.
Ata u arrestuan pasi kryen dy vjedhje shtëpish më 19 dhjetor, por hetuesit dyshojnë se shumë incidente të tjera mund të gjurmohen deri te banda, e përbërë nga katër shtetas shqiptarë të moshës midis 25 dhe 28 vjeç.
Ata kishin zhvilluar një mënyrë të saktë dhe të provuar veprimi, e cila u lejonte atyre të vidhnin sasi të mëdha bizhuterish dhe parash.
Shqiptarët kishin teknikën e kacavjerrjes nëpër banesa, ku nuk mungonin të përdornin edhe çarçafë për litar.
Në shumë raste shkulnin edhe kasafortat, ndërsa i hapnin me pajisje moderne të sofistikuara.
Krimet zgjasnin nga 5, deri në 15 minuta.
Më 19 dhjetor, banda kriminale, pasi kreu dy vjedhje me thyerje banesash në Via Oliosi dhe Via Cristoforo Colombo, njëra prej të cilave rezultoi në vjedhjen e një kasaforte që përmbante bizhuteri ari dhe para në dorë, u ndalua pas kthimit në Garda, një komunë ngjitur me atë ku anëtarët po qëndronin përkohësisht.










