SPAK ka zyrtarizuar akuzën ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, ndërsa paralelisht ka kërkuar autorizim për arrestimin e saj, në kuadër të hetimeve për procedurën e prokurimit të “Ndërtimit të Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 4”.
Në dëshminë e dhënë më 8 dhjetor 2025, Ilir Shtufi shpjegon rrethanat e bashkëpunimit me shoqëritë e tjera në tender. Ai deklaron se fillimisht kishte hezitime për bashkëpunimin me “Euroteorema Peqin”, pasi kjo shoqëri kërkonte mazhorancën e punimeve. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe u njoftua nga një inxhinier i kompanisë së tij se Evis Berberi kishte kërkuar disa herë ta takonte.
Nga aktet e hetimit rezulton gjithashtu se Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e prokurimit të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejtonte, si në fazën përgatitore ashtu edhe gjatë zhvillimit të procedurës.









