-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Tryeza e festave po rëndon xhepat e shqiptarëve, rritja e çmimeve bëhet shqetësimi kryesor

Kryesoret

Tryeza e festave edhe këtë vit do t’i kushtojë shtrenjtë familjeve shqiptare, pasi çmimet e shportës, por jo vetëm, vijojnë të rriten. Produktet bazë ushqimore, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve mujore, po bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme për një pjesë të madhe të qytetarëve.

Shqipëria, nga vendi më i varfër tre dekada më parë, është transformuar në vendin më të shtrenjtë në rajon për të jetuar. Një realitet që reflektohet drejtpërdrejt në konsum, në zakonet e blerjes dhe në mirëqenien e familjeve shqiptare. Kjo vjen në të njëjtën kohë kur Shqipëria, sipas FMN, mbetet ende një nga vendet me fuqinë blerëse për individ më të ulët në Evropë dhe Ballkan.

Çmimet e larta janë çështja më shqetësuese ekonomike e shqiptarëve sipas rezultateve të Barometrit të Ballkanit 2025, të publikuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Sipas Barometrit, 72 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë rritjen e çmimeve si problemin kryesor, duke e renditur vendin tonë në vendin e dytë në rajon, pas Kosovës, ku për 77% të qytetarëve çmimet janë një problem shqetësues.

Iu rikthyem disa tregjeve në kryeqytet, të cilat i kishim vizituar tre vite më parë, për të krahasuar çmimet dhe për të parë nga afër se si ka ndryshuar situata. Diferencat janë të dukshme, ndërsa rritja e çmimeve ndihet pothuajse në çdo produkt.

Seli, tregtare prej vitesh, thotë se produktet që vijojnë të rriten janë perimet si kastraveci dhe domatja, që variojnë nga 200–240 lekë për kilogram. Një vit më parë, produktet e njëjta të serrave që prodhohen në vend ishin rreth 180–200 lekë për kilogram.

“Në janar çmimet do të rriten edhe më shumë, sepse mbarojnë produktet e serrave dhe hyn vetëm importi”, thotë Seli, duke shtuar se kjo situatë po e vështirëson edhe më shumë punën e tregtarëve të vegjël.

Me këto çmime edhe ne nuk presim të shesim shumë, duke e parë nga këndvështrimi i familjares tanimë e jo i tregtares, thotë ajo me shqetësim, ndërsa pranon se edhe vetë blen më pak për familjen e saj.

Edhe pse Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar disa herë se po i mbikëqyr çmimet, kjo nuk e ka ndaluar abuzimin. Situata ka sjellë edhe penalizime për subjektet që kanë shkelur ligjin.

“Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur gjashtë ndërmarrje grumbulluese për bashkërendim të çmimeve në dëm të fermerëve. Autoriteti thekson se pas një hetimi që zgjati gati dy vite dhe përfshiu disa qarqe të vendit, Komisioni i Konkurrencës konstatoi praktika të ndaluara që kishin shtrembëruar konkurrencën, kishin diktuar çmimet e blerjes si dhe kishin rënduar pozitat negociuese të fermerëve,” shprehet ky institucion.

Sipas Artan Gjergjit, ekspert ekonomik, fenomeni i rritjes së çmimeve është kompleks dhe ndikohet nga disa faktorë njëkohësisht.

“Duke qenë se jemi një vend i cili mbi 80% të transaksioneve import-eksport i ka me vendet e BE-së, padyshim që jemi të ekspozuar edhe ndaj ndikimit që ka inflacioni në këto tregje,” shpjegon ai.

Megjithatë, ajo që e bën paradoksale këtë fenomen është fakti se, edhe pse prej muajsh në Shqipëri vlera e euros është në pikën më të ulët, kjo nuk reflektohet në çmimet që shohim tek produktet. Madje, importi vijon të hyjë me çmime të shtuara, duke mos sjellë asnjë lehtësim për konsumatorët.

Një tjetër komponent është mungesa e konkurrencës në tregje të caktuara, e sidomos në sektorin e tregtisë, përfshirë mallrat ushqimore, thotë Gjergji, duke theksuar se kjo situatë favorizon rritjen artificiale të çmimeve.

Por mungesa e vijueshme e produkteve vendase mbetet faktori më madhor, që prej vitesh po dëmton ekonominë dhe po rrit varësinë nga importi. Sipas Barometrit, në vitin 2025 rritja e çmimeve dhe inflacioni vazhdojnë të kryesojnë listën e shqetësimeve publike, të përmendura nga 66% e të anketuarve.

Një vit më parë, indeksi i publikuar nga “Mercer” e rendiste Tiranën në vendin e 103-të në botë, duke kryesuar si qyteti më i shtrenjtë për të jetuar në rajon. Elementet e marra në shqyrtim ishin strehimi dhe ushqimet, dy zëra që rëndojnë më shumë buxhetin familjar.

Për familjet shqiptare, ushqimi mbetet një nga shpenzimet më të mëdha mujore dhe një barrë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.

Adileja është kryefamiljare dhe tregon se sa shpenzon në pazar:

“Blej gjithmonë sasi të vogla, vetëm për konsum ditor, që të mos më prishen, kryesisht perime; fruta më pak, sepse janë shumë të shtrenjta. Këto kohë kam blerë portokalle, se janë 100 lekë kilogrami. Me 5000 lekë thuajse nuk blen dot as për 2~3 ditë produkte bazë.”

Eksperti Gjergji thotë se ky lloj kursimi i detyruar redukton ndjeshëm mirëqenien.

“Reduktojnë në mënyrë drastike mirëqenien e individëve, pasi me të njëjtën sasi parash në dispozicion nuk mund të blejnë të njëjtën sasi mallrash dhe detyrohen të heqin dorë nga cilësia,” shprehet ai.

Të dhënat e INSTAT për muajin shtator 2025 tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me rreth 2.4% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, duke reflektuar një rritje të përgjithshme të kostos së jetesës për familjet shqiptare, dhe kjo përkthehet edhe në çmime më të larta, sa më shumë i afrohemi fundvitit.

Rritje të vazhdueshme që prej vitit 2019 ka pasur edhe bulmeti dhe nënproduktet e tij, ku rritjen më të madhe e ka djathi. Një kilogram djathë nga baxhot e Sarandës një vit më parë kushtonte 1200 lekë, ndërsa sot varion nga 1400~1500 lekë për kilogram.

Produktet e mishit po ashtu janë shtrenjtuar ndjeshëm. Mishi i viçit dhe ai i qingjit konsiderohen më të shtrenjtit, ku nga 1000~1100 lekë tanimë kushtojnë 1300~1500 lekë për kilogram. Mishi kryesisht po importohet, për shkak se blegtoria çdo vit njeh rënie shumë të ndjeshme.

Edhe këtë vit Shqipëria vijon të jetë “kampione” e rritjes së çmimeve, krahasimisht jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me vende europiane si Greqia dhe Italia. Faturat e fundvitit po u rëndojnë xhepat qytetarëve, të cilët, në vend që të mendojnë për të festuar, duhet të mendojnë për paratë e shpenzuara për tryezën festive.

Në shumë familje, blerjet po kufizohen vetëm në minimumin e domosdoshëm, ndërsa konsumi vijon të bjerë ndjeshëm./acqj.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit