Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë persona, mes të cilëve kryeinspektorin dhe inspektorët e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
Sipas një njoftimi nga Prokuroria e Sarandës, hetimet treguan se në zonën e Ksamilit, në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, janë kryer ndërtime të paligjshme në një sipërfaqe të madhe, pa leje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.
Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin e Monumentit të Natyrës (MN), sipas vendimit nr. 303 datë 10.05.2019, i përditësuar me VKM nr. 187 datë 25.03.2021.
Sipas prokurorisë, punonjësit e IVMT-së nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative “dënim me gjobë”.
Në gjyq janë dërguar:
-R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal dhe “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal. “Shpërdorimi i tokës” parashikuar nga neni 199 dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” parashikuar nga neni 202/b i K.Penal;
-Personi Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/4 i K.Penal, “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal;
-Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal; dhe
-Shtetasi A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.









