Prej së dielës banorët e Vlorës janë në protestë për mungesën e ujit të pijshëm. Qyteti hyri të hënën në ditën e katërt pa furnizim, për shkak të një problemi teknik.
Të hënën dhjetëra qytetarë u grumbulluan para bashkisë, ku hodhën vezë dhe letra higjienike, teksa një mbrëmje më parë ata mësynë teatrin “Petro Marko” duke prishur eventin e fundvitit që organizohej nga bashkia.
Revolta erdhi si përgjigje ndaj mungesës së përgjegjësisë dhe rrugëzgjidhjes. Nën zhurmën e bidonëve, ata kërkuan zgjidhje urgjente dhe paralajmëruan rrezik shëndetësor nga mungesa e higjienës.
Uji u ndërpre në qytetin e Vlorës pas një defekti në linjën kryesore të furnizimit. Defekti ndodhi në tubacionin e gjerë, 1 metër, që furnizon depot. Linja ishte investuar në vitet 2009-2010.
Ekipet e Ujësjellës-Kanalizimeve punuan në terren për rregullimin e avarisë, por si duket problemi ishte më serioz se sa u pandeh në fillim duke kërkuar më shumë kohë.
Edhe kryebashkiakja Brunilda Mersini ishte në vendin ku po kryheshin punimet. Ajo e quajti situatën “fatkeqësi natyrore” dhe shmangu debatin për përgjegjësitë, megjithëse përmendi faktin se ujësjellësi prej dy vitesh administrohet nga qeveria dhe jo bashkia.
Sipas Mersinit, testet e fundit dhanë rezultat pozitiv. Zona e Lungomares pritet të furnizohet me presion minimal. Ndërkohë zgjidhja për furnizimin në qytet është dhënë me 15 autobote ujë, ku përparësi u është dhënë institucioneve.
Ndarja e përgjegjësive administrative për shërbimet kryesore të qytetit, mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, kanë qenë problem i vazhdueshëm në Vlorë.
Në vitin 2024, kriza e mbetjeve, zjarri në fushën e depozitimit dhe përmbytjet rritën pakënaqësinë publike dhe paraprinë dorëheqjen e kryebashkiakut Ermal Dredha.
Ndërkohë, furnizimi me ujë mbetet premtim i përsëritur politik prej vitit 2013.
Kryeministri Edi Rama premtoi asokohe furnizim 24 orë si “shenjë qytetërimi”. Në 2021, ai garantoi 100% furnizim në mandatin e tretë.
Në vitin 2025, gjatë një diskutimeve online, Rama relativizoi problemin duke kujtuar se as komunizmi nuk kishte pasur ujë 24 orë. Kështu, premtimet ndryshojnë, por realiteti mbetet i njëjtë për qytetarët.
Sipas raportit vjetor 2024 të Entit Rregullator të Ujit, furnizimi mbulon 77.2% të popullsisë. Rritja është vetëm 1.9% krahasuar me vitin 2023.
Raporti thekson ndikimin e kompanive më të mëdha të ujësjellësit, mes tyre Tirana, Durrësi dhe Vlora. Megjithatë, statistikat mbeten larg premtimit për furnizim të qëndrueshëm 24 orë.
Kriza në Vlorë ekspozoi kështu brishtësinë e menaxhimit të sistemit të ujësjellësave dhe mungesën e përgjegjësive të qarta. Ndërsa qytetarët kërkojnë jo vetëm zgjidhje emergjente, por transparencë dhe plan afatgjatë për një shërbim bazë.Citizens









