Situata në aksin kombëtar Prrenjas–Elbasan vijon të mbetet problematike edhe në orët e vona të mbrëmjes së 2 janarit, me qarkullimin e automjeteve të paralizuar për dhjetëra kilometra.
Mijëra mjete dhe qytetarë kanë mbetur të bllokuar nga zona e Qukësit deri në Fushë Labinot, për shkak të ngricave, reshjeve dhe kushteve të vështira atmosferike.
Drejtuesit e mjeteve raportojnë pritje të gjata, vështirësi të mëdha dhe mungesë informacioni, ndërsa qëndrimi për orë të tëra në automjete ka krijuar shqetësime për sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve.
Sipas të dhënave paraprake, situata është përkeqësuar nga akulli në rrugë dhe ndërhyrja e pamjaftueshme për mirëmbajtjen e aksit.
Deri në këto momente nuk ka pasur një njoftim zyrtar mbi masat konkrete për normalizimin e trafikut, ndërsa qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin e rrugës dhe orientimin e qarkullimit.









