Sfida kryesore e politikave të Kosovës është nxitja e potencialit të saj të rritjes ekonomike. Përkundër një konvergjence të vërejtur viteve të fundit, të ardhurat për kokë banori në Kosovë janë rreth një e katërta e nivelit të BE-së. Ky hendek i madh pasqyron dobësi strukturore që kufizojnë rritjen potenciale: stok i ulët i kapitalit dhe zbrazëtira të mëdha infrastrukturore; produktivitet i dobët dhe i stagnuar, si dhe investime të kufizuara në kapitalin njerëzor dhe inovacion; dhe emigrim i fortë që çon në tkurrje të fuqisë punëtore dhe përkeqëson mungesën e shkathtësive.
Viteve të fundit, Kosova ka treguar reziliencë mjaft të fortë, mbështetur nga stabiliteti makroekonomik dhe reformat. Prodhimi është rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe tashmë ka kaluar trendet që ishin para pandemisë. Inflacioni ka shënuar rënie nga nivelet e pikut nga koha e krizës ndërkombëtare të energjisë. Papunësia është ulur ndjeshëm, shoqëruar me rritje të lartë të punësimit dhe pagave. Politika e kujdesshme fiskale ka ndikuar që financat publike të jenë në gjendje të mirë, ndërsa sistemi bankar është përgjithësisht i qëndrueshëm. Janë realizuar reforma të rëndësishme si në sektorin financiar, financat publike dhe sektorin e energjisë.
Përkundër ngërçit politik, parametrat makroekonomike vazhduan të kenë stabilitet në vitin 2025 por, perspektiva është duke u ndikuar gjithnjë e më shumë nga rreziqet. Këtë vit rritja ekonomike është ngadalësuar dhe inflacioni është rritur. Bllokada politike ka ngadalësuar zbatimin e reformave dhe ka vonuar ratifikimin e marrëveshjeve kyçe ndërkombëtare, duke rrezikuar financimin e jashtëm. Pasiguria politike mbetet rrezik kryesor për perspektivën afatshkurtre. Ngërçi i zgjatur politik jo vetëm që dobëson besimin e konsumatorëve dhe investitorëve, por edhe vonon miratimin e buxhetit të vitit 2026.
Pa buxhet të miratuar, të gjitha pagesat e sektorit publik, përveç servisimit të borxheve, do të pezulloheshin nga muaji mars, me pasoja potencialisht të rënda negative për rritjen ekonomike. Edhe rreziqet e jashtme janë nga ana negative. Pasiguria e zgjatur, tensionet gjeopolitike dhe paqëndrueshmëria e çmimeve të mallrave mund të ndikojnë negativisht kërkesën e jashtme, remitancat dhe investimet e huaja direkte. Nga ana pozitive, një zgjidhje e shpejtë e ngërçit politik dhe zbatimi i menjëhershëm i reformave, duke përfshirë agjendën veçse të miratuar të reformave nga Plani i Rritjes i BE-së, mund të nxisin rritjen ekonomike.
Politikat afatshkurtra duhet të synojnë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të fituar me vështirësi. Shmangia e një krize buxhetore është jetike për të garantuar stabilitet makrofinanciar. Gjithashtu, autoritetet duhet t’i japin përparësi ndërtimit të masave mbrojtëse të politikave dhe planifikimit të rezervave.
Nevojiten përpjekje për të ringjallur hovin e reformave me qëllim të rritjes së mobilizimit të të hyrave, përmirësimit të efikasitetit të shpenzimeve publike, frenimit të shpenzimeve rrjedhëse dhe prioritizimit të investimeve kapitale. Në sistemin bankar, rritja e shpejtë e kreditimit kërkon monitorim të afërt të rreziqeve sistemike dhe, nëse është e nevojshme, masa makroprudenciale shtesë.
Megjithatë, sfida kryesore e politikave të Kosovës është nxitja e potencialit të saj të rritjes ekonomike. Përkundër një konvergjence të vërejtur viteve të fundit, të ardhurat për kokë banori në Kosovë janë rreth një e katërta e nivelit të BE-së. Ky hendek i madh pasqyron dobësi strukturore që kufizojnë rritjen potenciale: (i) stok i ulët i kapitalit dhe zbrazëtira të mëdha infrastrukturore; (ii) produktivitet i dobët dhe i stagnuar, si dhe investime të kufizuara në kapitalin njerëzor dhe inovacion; dhe (iii) emigrim i fortë që çon në tkurrje të fuqisë punëtore dhe përkeqëson mungesën e shkathtësive.
Reformat në tregun e punës dhe kapitalin njerëzor mund t’i zbusin efektet e emigrimit në rritjen ekonomike. Rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht ajo e grave mund të ndihmojë në këtë aspekt. Përmirësimi i cilësisë së arsimit, riorientimi i arsimit të lartë drejt nevojave të tregjeve moderne të punës dhe mbështetja e riaftësimit të të rriturve do të ndihmonin në uljen e mospërputhjes së shkathtësive. Politikat për të mbajtur dhe tërhequr punëtorë të rinj dhe të talentuar—përfshirë të huajt—si dhe për t’i rritur përfitimet ekonomike nga diaspora janë gjithashtu thelbësore. Këto politika mund t’i zbusin efektet negative të emigrimit, por vështirë se mund t’i kompensojnë plotësisht ato.
Për t’u ngjitur më lart në shkallët e të ardhurave, Kosova duhet ta mbyllë edhe hendekun në qeverisje, infrastrukturë dhe sidomos atë në produktivitet. Anëtarësimi në BE ofron mundësi historike për ta arritur këtë, duke siguruar qasje në Tregun e Vetëm, integrim në strukturat e qeverisjes evropiane dhe, po aq me rëndësi, ankorim të fortë për reforma. Dëshmitë nga zgjerimet e mëparshme të BE-së janë inkurajuese. Një studim i kohëve të fundit i FMN-së tregon se shtetet anëtare të reja kanë përfituar rreth 30 për qind rritje të BPV-së për kokë banori brenda 15 vjetëve pas anëtarësimit, nxitur nga produktiviteti dhe investimet. Për Kosovën, përfitime të ngjashme mund të përgjysmojnë hendekun e të ardhurave me BE-në brenda një brezi. Megjithatë, këto përfitime nuk janë të garantuara. Ato kërkojnë zbatimin e një agjende ambicioze reformash.
Një fushë kyçe e reformave është qeverisja dhe institucionet. Kjo përfshin reforma për forcimin e sundimit të ligjit, pavarësi dhe efikasitet të gjyqësorit, luftim të korrupsionit dhe sigurim që institucionet publike u shërbejnë qytetarëve dhe bizneseve në mënyrë të drejtë dhe efikase. Trajtimi i hendeqeve në qeverisje do të përmirësonte klimën e biznesit dhe do të krijonte kushte të barabarta konkurrence. Kjo përfshin edhe reforma për forcimin e qeverisjes korporative dhe menaxhimit të ndërmarrjeve publike (NP), të cilat kanë peshë të madhe në sektorë kyç, siç është energjia. Reformat e NP-ve janë thelbësore për uljen e rreziqeve fiskale dhe për shndërrimin e këtyre entiteteve në ndërmarrje moderne që mund të kontribuojnë pozitivisht në rritjen ekonomike. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka shënuar përparim të mirë në avancimin e reformave institucionale dhe të qeverisjes në sektorin financiar, dhe këto përpjekje duhet të vazhdojnë.
Me rëndësi thelbësore është edhe adresimi i hendeqeve infrastrukturore të Kosovës. Zvogëlimi i këtyre hendeqeve do të rriste aftësinë e konkurrencës, investimet private dhe integrimin në zinxhirët rajonalë të vlerës. Meqenëse investimet publike kërkojnë burime të konsiderueshme buxhetore, për të siguruar qëndrueshmëri fiskale është jetike të ketë kuadër të fortë të menaxhimit të investimeve publike (MIP). Një menaxhim i fuqishëm i Investimeve publike mund të ndihmojë në përmirësimin e prioritizimit, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve kapitale dhe përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës publike.
Prioritet janë edhe reformat për adresimin e informalitetit ende mjaft të përhapur në Kosovë. Informaliteti përbën pengesë të ndjeshme për të bërit biznes, krijon konkurrencë të padrejtë dhe rëndon burimet fiskale. Ai ndikon edhe në investime dhe produktivitet. Dëshmitë empirike tregojnë se ndërmarrjet qe veprojnë informalisht, kanë prirje të investojnë më pak dhe të jenë më pak produktive sesa ato formale. Prandaj, rialokimi i burimeve nga sektori informal drejt atij formal do t’i rriste investimet dhe produktivitetin në tërësi.
Së fundi, avancimi i tranzicionit të gjelbër në Kosovë nuk është vetëm domosdoshmëri mjedisore, por edhe mundësi për të nxitur rritje më të lartë dhe më të qëndrueshme. Zbatimi i agjendës së gjelbër do të ndihmonte në uljen e emetimeve dhe ndotjes, duke forcuar njëkohësisht reziliencën e vendit ndaj goditjeve të ardhshme klimatike dhe energjetike. Reformat e zbatuara në kuadër të instrumentit të FMN-së për Reziliencë dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, i përmbyllur së fundmi, kanë qenë kyç në avancimin e planeve për rritjen e kapaciteteve të prodhimit nga burimet e ripërtëritshme, uljen e ndotjes, përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Avancimi i reformave strukturore nuk është i lehtë. Ai kërkon si ekspertizë teknike, edhe guxim politik. Kosova, sikurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përballet me kapacitete të kufizuara administrative. FMN-ja ka ndihmuar përmes zhvillimit të kapaciteteve, duke trajnuar zyrtarë, forcuar institucione dhe mbështetur hartimin e politikave. Po ashtu, në plan është hapja e një qendre të asistencës teknike për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë (SEETAC) për t’i ndihmuar këto vende në zbatimin e reformave strukturore. Thelbësor është edhe vullneti politik, jo vetëm sepse reformat e nevojshme përfshijnë disa fusha, përfshirë administratën publike, rregulloret e biznesit, tregun e punës dhe qeverisjen, por edhe sepse disa reforma me gjasë do të prekin interesat e gjera dhe, për pasojë, janë të vështira për t’u zbatuar.
Anëtarësimi në BE mund të shërbejë si katalizator i fuqishëm i reformave, duke ofruar si motivim ashtu edhe dinamikë për t’i kapërcyer interesat e ngushta dhe për të shtyrë përpara reforma të vështira, por të domosdoshme. Zbatimi efektiv i një agjende ambicioze reformash është thelbësor për t’i maksimizuar përfitimet nga procesi i anëtarësimit në BE dhe për të siguruar që ekonomia e Kosovës është e gatshme të konkurrojë në Tregun e Vetëm, përfshirë tregun unik të punës, kur të anëtarësohet në BE. Këto reforma do ta ndihmojnë Kosovën të bëhet ekonomi më dinamike, më produktive dhe e bazuar në shkathtësi, duke reduktuar emigrimin.
Autori është përfaqësues Rajonal i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor









