Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj dhunës që u ushtrua nga policia ndaj protestuesve paqësorë gjatë protestës përpara Kryeministrisë.
Ajo e cilësoi këtë veprim si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe një akt që është në kundërshtim me standardet demokratike të Bashkimit Europian.
“Protesta nuk është krim. Është e drejtë kushtetuese.
Qytetarët që protestojnë paqësisht përpara Kryeministrisë nuk kanë kërcënuar askënd. Nuk kanë dhunuar askënd. Nuk kanë shkelur ligjin.
Shteti ishte ai që reagoi me dhunë. Jo sepse u provokua. Por sepse u tremb.
Në Europë, policia mbron protestën. Këtu, policia u përdor kundër qytetarëve. Kjo nuk është Europë.
Kur pushteti godet qytetarët që flasin, shteti ligjor pushon së ekzistuari. Ajo që mbetet është një regjim i dobët, i frikësuar, i kapur nga korrupsioni.
Një pushtet që rreh qytetarët nuk është i fortë. Është i dëshpëruar.”