Aksi kombëtar Gjirokastër–Kakavijë është bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat, duke u bërë i pakalueshëm për qarkullimin e automjeteve.
Në vendngjarje ndodhen punonjësit e firmës mirëmbajtëse, të cilët po punojnë për hapjen e rrugës dhe normalizimin e situatës.
Bllokim raportohet gjithashtu edhe në rrugën Gjirokastër–Valarë, në vendin e quajtur Ura e Aznakut.
Në pjesën më të madhe të qytetit të Gjirokastrës ka prezencë të konsiderueshme inertesh, çka kërkon ndërhyrjen e mjeteve të rënda për pastrimin e akseve rrugore.
Si pasojë e situatës së krijuar, autoritetet kanë vendosur pezullimin e procesit mësimor në qytet. Ndërkohë, reshjet e shiut kanë ulur intensitetin, por niveli i lumit Vjosë në Memaliaj ka arritur në 6.5 metra dhe vijon të monitorohet.
Nga bashkitë e tjera të qarkut Gjirokastër, deri në këto momente, nuk raportohen situata emergjente.









