Megjithëse opozita ka bërë pesë tentativa në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të 2026 për të mbledhur Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për kërkesën e SPAK lidhur me zv.kryemnistren Balluku, ky organ i Kuvendit nuk do të mblidhet përpara 19 janarit.
Gjatë ditës së hënë do të bëhet i ditur kalendari i punimeve, si dhe do të nxirren urdhrat përkatës për seancën hapëse, Konferencën e Kryetarëve, Mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, si dhe për Komisionin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit.
Mbledhja e Këshillit ku do të vendoset për kërkesën e SPAK për të marrë lejen për arrestimin e zv.kryeministres, pritet të mbahet pas 22 janarit, ditë kur është parashikuar mbledhja e Gjykatës Kushtetuese e cila do të shqyrtojë një kërkesë të kryeministrit Rama për të shfuqizuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e zv.kryeministres nga detyra.
Edhe ditën e sotme anëtarët demokratë të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve tentuan të mblidhen në sallën e katit të katërt të Kryesisë së Kuvendit, por e patën të pamundur për shkak se derën e gjetën të mbyllur.









