Banorët e lagjes Gjuta në fshatin Shtrezë, Njësia Administrative Shishtavec në Kukës, po përballen me vështirësi serioze për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe borës.
Rreth 10 nxënës nuk po mund të ndjekin mësimin, pasi rruga malore dhe ura e drurit, ndërtuar nga vetë banorët rreth një vit më parë, janë të amortizuara dhe të rrezikshme për kalim.
Përfaqësuesi i lagjes, Mujedin Gjuta, apelon për ndërhyrje urgjente nga institucionet për ndërtimin e një ure të re që të sigurojë lëvizje të sigurt dhe akses normal për fëmijët dhe familjet e zonës, të cilat mbeten të izoluar çdo herë që ka reshje të dendura.









