Ministria e Sigurisë Kombëtare e SHBA ka vendosur të dërgojë qindra efektivë shtesë në Minesota, pas protestave masive që shpërthyen në Minneapolis për vrasjen e 37-vjeçares Rene Good nga një oficer i ICE.
Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar drejtësi dhe për të kundërshtuar politikat e imigracionit.
Sekretarja Kristi Noem deklaroi se rreth 2,000 oficerë federalë janë tashmë të dislokuar në zonën Minneapolis–Saint Paul, duke e cilësuar operacionin si më të madhin e zhvilluar ndonjëherë në këtë rajon. Sipas saj, përforcimet synojnë të garantojnë sigurinë e punonjësve federalë.
Protestat pritet të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa rasti i Rene Good ka rindezur debatin publik mbi përdorimin e forcës nga agjencitë federale dhe politikat e dëbimit.









