Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka ngritur shqetësime të forta për rënien e lindshmërisë në vend, duke theksuar se kjo mund të çojë në një krizë demografike.
Gjatë një takimi me artistë dhe të rinj në Stamboll, Erdogan kërkoi që çiftet të kenë të paktën tre fëmijë, duke e konsideruar këtë si një nevojë për të garantuar një shoqëri të fortë dhe të qëndrueshme.
Ai theksoi se pasja e më shumë fëmijëve është e rëndësishme për të ruajtur balancën e popullsisë dhe theksoi se shifrat e fundit të Institutit Turk të Statistikave, të cilat tregojnë një rënie të normës së lindshmërisë në 1.48 fëmijë për grua, janë alarmante.
Erdogan e cilësoi këtë situatë si një “katastrofë” dhe shprehu frikën për plakjen e shpejtë të shoqërisë.
Për të frenuar këtë trend, qeveria turke ka shpallur vitin 2025 si “Viti i Familjes” dhe ka ndërmarrë disa iniciativa për mbështetje financiare për çiftet e reja, duke ofruar kredi pa interes për martesa dhe mbështetje për fëmijët, duke filluar me pagesa mujore për fëmijën e dytë dhe më të larta për fëmijët e tretë dhe pasuesit.
/5pyetjet.al









