Në kuadër të buxhetit për vitin 2026, qeveria ka parashikuar një masë për të adresuar çështjen e stokut të çështjeve në gjykata, duke vendosur rekrutimin e 90 asistentëve juristë në tre gjykata kryesore të vendit.
Kjo është një nga masat për të përballuar ngarkesën e çështjeve të papërfunduara, që aktualisht arrin në 140 mijë çështje të prapambetura.
Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar kanë theksuar se një zgjidhje më efikase për këtë situatë do të ishte plotësimi i të gjitha vendeve vakante të mbetura pas procesit të vettingut.
Silvio Gonzato, kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, deklaroi se është thelbësore që të gjitha pozitat vakante të plotësohen për të siguruar cilësinë dhe funksionimin e duhur të gjykatave. Ai sugjeroi që, nëse është e nevojshme, numri i ndihmësve ligjorë të rritet, në mënyrë që ata të mbështesin më mirë gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre.
Gonzato theksoi gjithashtu shembujt e suksesshëm të institucioneve që operojnë me ndihmës ligjorë të mjaftueshëm, si Gjykata e Lartë, e cila ka treguar rezultate pozitive në këtë drejtim. Përfaqësuesi i BE-së nënvizoi se një sistem gjyqësor efikas dhe i paanshëm është një element kyç në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke theksuar se një drejtësi e shpejtë dhe cilësore është e domosdoshme për procesin e integrimit.









