Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotir Rama, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se punonjësit e bashkisë janë angazhuar që prej mëngjesit për të pastruar rrugët nga dëbora dhe ngricat.
Reshjet e dendura të dëborës kanë prekur të gjithë territorin e Bashkisë Korçë, duke shkaktuar probleme, sidomos në zonat malore.
Rama theksoi se qarkullimi është mbajtur i hapur dhe në monitorim të vazhdueshëm, duke kërkuar gjithashtu kujdes nga qytetarët për shkak të kushteve të vështira të motit.
“Reshjet e dëborës, të rëna gjatë orëve të fundit, kanë përfshirë të gjithë territorin e Bashkisë Korçë, të shoqëruara me temperatura të ulëta dhe ngrica.
Punonjësit e Bashkisë Korçë kanë qenë në terren që prej orëve të para të mëngjesit dhe është kryer kriposja e të gjitha rrugëve, si në qytet ashtu edhe në njësitë administrative.
Është ndërhyrë për hapjen e rrugëve në zonat malore, ku janë evidentuar problematika më të mëdha për shkak të reshjeve dhe ngricave.
Qarkullimi është mbajtur i hapur dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Bashkia Korçë u bën thirrje banorëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, për shkak të temperaturave të ulëta dhe ngricave.”