Gjatë takimit me demokratët në Lezhë, Sali Berisha ka theksuar forcën dhe qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike, duke akuzuar Edi Ramën dhe Xhorxh Sorosin për përpjekjet e tyre për të izoluari dhe shuar PD-në.
Ai ka theksuar se, përkundër kërcënimeve dhe përpjekjeve për ta diskretituar, partia ka dalë më e fuqishme dhe më e vendosur në mbrojtje të vlerave dhe kauzave të saj.
“Ne donim të ishim njerëz me dinjitet, të merrnim vetë vendimet. Nuk mund të pranonim opozitë shërbëtore të qeverisë. Dhe menduan se me izolimin tonë do të na shuanin. Por gabuan rëndë. Ua them unë ju këtu sot, ne festojmë këtë 35-vjetor më të fuqishëm se kurrë në ekzistencën tonë. Sot ne festojmë këtë 35-vjetor më të gatshëm se kurrë për triumfin tonë, më të sigurt se kurrë në këtë triumf.”
“Na izoluan sepse mbronim interesin e qytetarëve shqiptarë nga një organizatë kriminale që i vidhnin ata çdo ditë. Na izoluan sepse mbronim interesin kombëtar nga një tradhëtar që me mburrje deklaronte se e kishte më të lehtë të komunikonte me kryeministrin serbomadh se me kryeministrin e Kosovës. Po pse na izoluan? Sepse ne donim të ishim një opozitë e vërtetë, të pavarur dhe të respektuar, jo shërbëtore e qeverisë.”









