Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar Vladimir Lushkajn dhe Pandeli Bozhën për korrupsion në zgjedhje.
Pandeli Bozha, babai i ish-kandidates për deputete Limonera Bozha, u dënua me 1 vit burg, të cilin do ta kryejë në shërbim prove për 24 muaj.
Vladimir Lushkaj, i akuzuar për korrupsion pasiv në zgjedhje, u shpall fajtor, por u përjashtua nga dënimi.
Gjykata administroi si prova një kartmonedhë 2000 lekë dhe një fletë të ngjashme me ato të votimit, ku ishte i shënuar emri i kandidates Bozha.
Njoftimi:
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Pandeli Bozha për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim. Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e tij me 1 vit (një) burgim. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe
vënien në provë të të dënuarit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër penale
tjetër, për një periudhë prej 24 muaj.
Deklarimin fajtor të pandehurit Vladimir Lushkaj për kryerjen veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal. Në bazë të nenit 52/b të Kodit Penal, përjashtimin nga dënimi të të pandehurit Vladimir
Lushkaj. Lidhur me provat materiale, Gjykata disponon si më poshtë: një kartmonedhë në shumën 2000 lekë duke qënë se ajo është shpërblim i dhënë për veprën penale, konform nenit 36/1/c të Kodit Penal, të kalojë në favor të shtetit. një fletë e ngjashme si ato të fletëve të votimit ku emri i kandidates për deputete L.B ishte i ngjyrosur me ngjyrë portokalli, të bëhet pjesë e fashikullit të gjykimit”-thuhet në njoftim.









