Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të paraqesë dorëheqjen nga posti i tij në Kuvendin e partisë, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku LDK-ja u rendit e treta.
“E kam obligim moral dhe politik të ofroj dorëheqjen. Kuvendi do të vendosë përmes votës nëse e pranon apo jo”, deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se në rast se dorëheqja nuk pranohet, do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e kryetarit, duke shtuar se procesi për zgjedhjen e udhëheqjes do të jetë i hapur për të gjithë anëtarët e partisë.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Abdixhiku ritheksoi se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes konsensusit politik, duke përjashtuar zgjedhjet e reja si alternativë.









