Bashkimi Evropian ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove ndihmë financiare për vendin. Nga kjo shumë, 216 milionë euro u liruan në dhjetor 2025, ndërsa pjesa tjetër prej 205 milionë eurosh pritet të lirohet në fillim të këtij viti. Fondet do të shfrytëzohen për projekte të ndryshme zhvillimore, përfshirë programet IPA III, dhe për nxitjen e stabilitetit ekonomik dhe institucional.
Vendimi i BE-së pason qetësimin e situatës në komunat veriore të Kosovës pas zgjedhjeve lokale, ku komuniteti serb është shumicë. Heqja e masave synon të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes europiane dhe të përforcojë qeverisjen lokale, pas tensioneve të vitit 2023 që kishin shkaktuar ndërhyrje të institucioneve evropiane.
Komisioni Evropian ka konfirmuar se programimi i mjeteve dhe kontraktimi i projekteve po ecin paralelisht, duke garantuar që fondet të përdoren shpejt dhe në mënyrë efektive.









