Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat e tij të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për përpjekje për të korruptuar opozitën dhe për të marrë kontrollin e saj.
Gjatë një fjalimi të tij, Berisha ka shpjeguar ndikimin që sipas tij, Rama dhe Xhorxh Soros kanë pasur në dobësimin e opozitës dhe në mbajtjen e tij jashtë funksionit për një periudhë të gjatë.
“Secili nga ne, ka firmosur një akt madhor, në një kohë kur Edi Rama, në mënyrë më makabre kishte vendosur ta kapte tërësisht këtë opozitë, nga kreu, ta korruptonte, ta shndërronte në një fasadë opozitë, në një vegël të tijën, loboi me Xhorxh Sorosin, etj., kundër Sali Berishës që kishte 8 vite pa asnjë funksion,” tha Berisha, duke shtuar se ky veprim kishte si qëllim të shuante zërin e vërtetë të opozitës. Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin e demokratëve, të cilët, sipas tij, pavarësisht presioneve dhe shantazheve, nuk pranuan që idealet e tyre të shiteshin ose të përdoheshin për interesat e politikës së korruptuar.
Berisha vazhdoi duke thënë: “Pavarësisht nga privacionet, mashtrimet, shantazhet që bëheshin ndaj jush. Ju nuk pranuat, që idealet tuaja, të dinjitetit, lirisë të tregtoheshin, të bëheshin plaçke tregu”. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së interesit kombëtar dhe dinjitetit njerëzor si themele të Partisë Demokratike.
/5pyetjet.al









