Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe kreu i PD-së Sali Berisha, sot në kuvend kanë zhvilluar replika, pak para se të miratohej aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Drejtuesi i grupit të socialistëve iu drejtua Berishës duke i thënë se PS do të bëjë gjithçka që të zbardhë përgjegjësinë e tij për 4 vrasjet e 21 janarit të 15 viteve më parë, si kryeministër i asaj kohe.
“U çua këtu mjeshtri i gënjeshtrës dhe përmendi ish kryeministrin e ndjerë Fatos Nano për gjoja një plan me Berlusconin për ishullin e Sazanit. Nuk ka pasur asnjë bisedë nga Nano për Sazanin. Nuk e di çfarë ke bërë ti biseda me Sazanin, por me Nanon nuk ka pasur një bisedë të tillë. Sa i përket kërcënimeve të tua që ti do të bësh hatanë më datë 24, do ta kisha dhënë një përgjigje por kam respekt për kodin e etikës së kuvendit. Një gjë nuk të kemi marrë në konsideratë edhe kur na ke kërcënuar publikisht se në atë dritare është një snajper që do të marrë në ballë këdo që do t’i afrohet kryeministrisë. E ke thënë ti këtë apo jo? Dhe më pas më rezulton se je zbythur kur ke shkuar atje të deponosh se ke thënë që ti nuk ke dhënë urdhër për të qëlluar mbi popullin më 21 janar, por nuk di ça ka bërë Luli. Unë nuk e di ca ka thënë Luli, po një gjë duhet të dish Berisha këtë forcë politike dhe ne që jemi këtu, pa e zbardhur përgjegjësinë tënde sa i përket urdhrave për vrasjen e 4 shqiptarëve më 21 janar kjo forcë politike nuk ka për t’u tërhequr kurrë. Këtë ngulite mirë në mendje.”, tha Balla.
Në replikë të këtij komenti, Berisha lexoi disa mesazhe në Ipad, që sipas të cilit tregojnë lidhjet e Ballës më krimin. Duke e akuzuar si “ushtar” i Suel Çelës, Berisha tha se këto mesazhe tregojnë se si bëheshin pazare me krimin për çështje votash.
“Në datën 20.02.2020, Target, ose Mario Çela, me të cilin, parafolësi që duhet të ishte sot i dënuar të paktën 40 vite për vrasjet që ka porositur me dokumenta, informon PIN-in. Se kishin rënë dakord mes tyre që të mos kërkonin Taos, këtij këtu… të mos i kërkonin… dëgjojeni… bandës. Asnjë tender publik, se ky merret me tendera… asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord të kërkonin. Ky mesazh iu përcoll Taos. Dhe i dhanë afat gjer në dhjetor. Dëgjojeni! Është krahu i kartelit të Çelës. Tao iu përgjigj kësaj. E garanton… a garantoni që të gjitha ata njerëz që do të votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që donin nga burgu? Dëgjojeni! Dëgjoni çfarë krimineli është. Ja ku e ka vendin ky. Prisni. Përgjigja ishte: Po! Ne e garantojmë këtë”, tha Berisha.









