Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adritik Lapaj, teksa ka komentuar seancën në Kushtetuese të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, deklaroi se deputetët e mazhorancës nuk do t’ja heqin asaj imunitetin, kërkesë e depozituar në Kuvend nga SPAK që prej dhjetorit të vitit 2025.
Lapaj u shpreh se të dhënat, faktet dhe mënyra se si po veprohet tregojnë që mazhoranca nuk do ta japë imunitetin e Ballukut, ndërsa theksoi se “kjo është gabim sepse pozicionohen përballë drejtësisë”.
Më tej, Lapaj shtoi se nëse nuk i hiqet imuniteti, mund të ndodhë që Balluku të arrestohet dhe në zyrë.
“Nëse nuk procedohet i kërkohet heqja e imunitetit, parlamentit. Unë gjykoj se nëse nuk e japin mund të ndodhë që Balluku të arrestohet dhe në zyrë”, tha ai.
Lapaj: E gjithë reforma, e cila në majë të piramidës së saj ka SPAK dhe GJKKO, parashikon që subjektet e posaçme në këtë rast, janë ato të nivelit të lartë drejtues shtetëror. Këto lloj subjektesh duhet t’ju nënshtrohen kompetencave të këtyre organeve.
Nëse sot ne nxjerrim justifikime për të bllokuar funksionalitetin për të cilat janë krijuar, për çfarë e bëmë këtë reformë. Hetimi dhe të gjitha procedurat ndaj këtyre subjekteve janë në tagër të plotë të SPAK dhe të GJKKO-së. Unë gjykoj që në këtë rast, e drejta qëndron nga organi i Prokurorisë, i cili me të drejtë, për një subjekt që heton, të merren masa të cilat lidhen me ndalimin e ndotjes së provave…
Kryeministri është i ndërgjegjshëm që ato punë, as Belinda dhe as të tjerët nuk i kanë bërë vetë. Nuk dua të bëj parashikime, por të dhënat, faktet dhe mënyra se si po veprohet tregojnë që mazhoranca nuk do ta japë imunitetin e Ballukut. Kjo është gabim sepse pozicionohen përballë drejtësisë.
Dhe është një fund i pashmangshëm dhe nuk mund t’i ikin asaj që kanë bërë dhe herët apo vonë do të shkojnë përpara drejtësisë. Nëse nuk procedohet i kërkohet heqja e imunitetit, parlamentit. Unë gjykoj se nëse nuk e japin mund të ndodhë që Balluku të arrestohet dhe në zyrë.









