Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se i ka kërkuar udhëheqësit amerikan, Donald Trump, që t’i japë më shumë raketa Patriot dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore gjatë takimit të tyre në Davos të Zvicrës më 22 janar, teksa të dërguarit amerikanë po përgatiten për bisedime të tjera në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Zelensky gjithashtu e përmendi mundësinë e bisedimeve trepalëshe mes ekipeve ruse, ukrainase dhe amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe më 23-24 janar.
Trump dhe Zelensky u takuan për më shumë se një orë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, në bisedime që Trump i përshkroi si pozitive.
“Takimi me presidentin Zelensky ishte i mirë. Do të shohim se çfarë rezultati do të dalë”, tha Trump, gjatë një prononcimi të shkurtër për gazetarë, duke shtuar se mesazhi i tij për Putinin është: “Lufta duhet të përfundojë”.
Pak pas këtyre deklaratave të Trumpit, Zelensky mbajti një fjalim, që u pasua nga një sesion i shkurtër i pyetjeve, kur ai tha se mesazhi i tij kryesor është se Ukraina ka nevojë për mbrojtje shtesë kundër sulmeve ruse me dronë dhe raketa, që kanë lënë deri në 1 milion njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike në kohën kur temperaturat janë nën zero.
“Fjalët e mia të fundit… për presidentin Trump ishin: Mos harroni mbrojtjen ajrore, mos harroni Patriotët”, tha Zelensky. “Kjo është shumë e rëndësishme për ne gjatë këtij dimri”.
Zelensky ka bërë këso thirrjesh shpesh, dhe ai filloi dhe përfundoi fjalimin e tij duke folur për një situatë, ku krizat shoqërohen me deklarata të forta, por pa veprime vendimtare.
“Çdo forum si ky e dëshmon këtë. Vetëm vitin e kaluar këtu në Davos, përfundova fjalimin tim me fjalët: ‘Evropa duhet të dijë si të mbrohet’. Ka kaluar një vit dhe asgjë nuk ka ndryshuar”.
Kjo, tha Zelensky, vlen edhe për Iranin, ku “ka pasur kaq shumë fjalë… por ato u fundosën në gjak”, dhe tha se kjo vlen edhe për përpjekjet për të krijuar një gjykatë ndërkombëtare për krimet e agresionit rus në Ukrainë. Këto përpjekje kanë ngecur.
Duke kritikuar “mungesën e vullnetit politik” në Evropë, ai gjithashtu bëri një krahasim me mënyrën se si forcat detare amerikane kapnin tankerë të flotës në hije, ndërsa “nafta ruse transportohet përgjatë brigjeve evropiane” pa u penguar.
Zelensky përfundoi duke thënë: “Le t’i japin fund kësaj”, dhe se bisedimet për paqe me Rusinë tani po hyjnë në “kilometrin e fundit”.
Kjo fazë përfundimtare nis me delegacionin amerikan, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kusher, që nisen më vonë gjatë së enjtes drejt Moskës për bisedime me Putinin.
Më herët, vetë Witkoff bëri deklarata optimiste gjatë një takimi të zhvilluar në mëngjes, duke thënë se “ne jemi në fund tani. Në të vërtetë jam optimist”.
“Mendoj se e kemi arritur te një çështje, dhe kemi diskutuar aspekte të kësaj çështjeje dhe kjo do të thotë se është e zgjidhshme. Pra, nëse të dyja palët duan ta zgjidhin këtë, do ta zgjidhim”, tha Witkoff.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të komentonte optimizmin e Witkoffit, duke theksuar vetëm se “diskutimi do të vazhdojë mbi çështjen e zgjidhjes ukrainase dhe tema të tjera të ndërlidhura”.
Kremlini tha se bisedimet do të zhvilloheshin në mbrëmje, ndërsa Witkoff tha se delegacioni amerikan nuk do të qëndronte gjatë natës në Moskë, por do të fluturonte drejt Emirateve të Bashkuara Arabe,
Megjithatë, nuk kishte ende nuk ka deklarata nga zyrtarët rusë ose amerikanë për bisedimet trepalëshe që përmendi Zelensky./ REL









