Skuadra e Dritës është shpallur fituese e Superkupës së Kosovës pas triumfit 2-1 ndaj Prishtinës në finale.
Takimi nisi me avantazhin e Prishtinës, ku Leotrim Kryeziu shënoi golin e parë në minutën e tetë. Barazimi i shifrave erdhi në minutën e 39-të përmes Besnik Krasniqit, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Pak para mbylljes së pjesës së parë, Prishtina mbeti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit të Harun Kariç me karton të kuq.
Përmbysja e rezultatit u realizua në minutën e 50-të nga Kristal Abazaj, i cili shënoi me kokë për ekipin gjilanas. Më pas, rezultati mbeti i pandryshuar deri në përfundim të kohës së rregullt pavarësisht tentativave të të dyja palëve.
Ky sukses shënon trofeun e tretë të Superkupës në historinë e klubit të Dritës.









