-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Augustin Palokaj: Kosova s’ka arsye për dilema rreth Bordit të Paqes

Kryesoret

Ka shumë arsye për rezerva dhe dilema ndaj Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ka edhe shumë paqartësi që kanë çuar deri te hezitimi i një varg shtetesh që t’i bashkohen kësaj nisme në fazën e hershme. Disa duan të dinë nëse kjo është një organizate e re ndërkombëtare apo një klub privat i Donald Trumpit.

Të tjerët duan ta dinë se a synon ky grup ta zëvendësojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ka edhe vende që nuk duan të jenë në të njëjtin grup që ka përdorur epitetin “paqe”, e në të cilin janë ftuar edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko. Vërtet emrat e këtyre dy diktatorëve nuk shkojnë bashkë me emrin paqe.

Por, e gjithë kjo nuk duhet të krijojë asnjë dilemë për Kosovën që t’i bashkohet kësaj nisme. Me dilema le të merren ato shtete që në skenën ndërkombëtare kanë një peshë më të madhe dhe të cilat e kanë luksin që ta refuzojnë ftesën e presidentit amerikan apo të mbajnë rezerva derisa gjërat të mos sqarohen.

Kosova nuk duhet të ketë dilema të tilla për shumë arsye. Së pari Kosova nuk mund të mos rreshtohet krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa marrë parasysh se kush është në momentin e caktuar në Shtëpinë e Bardhë. Edhe kjo administratë, e dyta e presidentit Donald Trump, ka bërë shumë për Kosovën.

Nuk do të merremi tash me diskutimet nëse vërtet Trumpi e ka ndalur edhe luftën mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka dyshim se kjo administratë së paku i ka zbutur masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat i kishte vendosur administrata e Joe Bidenit, po vazhdon ta furnizojë Ushtrinë e Kosovës me armatim, vazhdon edhe stërvitjen e Kosovës dhe mbështet pa rezerva forcimin e shtetit. Edhe kur u sulmua Kosova nga Serbia përmes formacioneve paramilitare asistenca amerikane ishte vendimtare që njësitë policore të Kosovës ta mposhtin atë grup.

Në Serbi ka pasur shume pritje nga mandati i dytë i Donald Trumpit, përfshirë edhe rreth Kosovës, por në vitin e parë të mandatit nuk pati asnjë shenjë për ndonjë ndryshim. Ambasadori i ri amerikan në OKB tha thjesht në një debat se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë raportet me njohje të ndërsjellë, nuk duhet të ketë më debate të tilla në Këshill të Sigurimit të OKB-së dhe UNMIK-u duhet të mbyllet. Trumpi është i paparashikueshëm, por nëse vlerësojmë në bazë të veprave, atëherë Kosova nga viti i parë i Trumpit ka pasur kryesisht mbështetje. Aty ku ka pasur tërheqje amerikane, si në mbylljen e USAID-it, ka qenë pjesë e tërheqjes së përgjithshme që nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën.

Rreshtimi i Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan nuk duhet të shihet si dilemë. Nuk ndan ai Bord, SHBA-në dhe BE-në, por BE-ja sikur për shumë çështje të tjera është e pavendosur dhe e ndarë brenda vetes. Pos që është në interes të Kosovës të jetë në atë grup Kosova me përvojën e saj mund edhe të japë një kontribut për ndërtimin e paqes, rindërtimin ekonomik dhe shoqëror pas konfliktit dhe demokratizimin me ndihmë ndërkombëtare.

BE-ja edhe nëse nuk do të jetë pjesë formale e këtij Bordi, do të bashkëpunojë me të. Sepse përkundër kritikave dhe rezervave ndaj tij, nuk ka asnjë alternativë tjetër në këtë moment.  Nismë tjetër ndërkombëtare për paqe dhe rindërtim në Gaza pos kësaj nuk ka. Dhe aty janë edhe aktorët që vërtet mund të japin më shumë kontribut sesa disa vende evropiane. Vendet si Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë ndikimin më të madh në atë pjesë të botës. E ndasitë brenda BE-së për këtë nuk janë asgjë e re.

Ka vende të BE-së të cilat janë pjesë e këtij Bordi. Ka vende që duan të jenë pjesë, por kanë nevojë për disa sqarime, ka vende që duan të jenë pjesë, por nuk e dinë nëse kjo është e mundur në bazë të Kushtetutës së tyre. Dhe ka vende që nuk duan të jenë pjesë e këtij Bordi. Por, institucionet e BE-së, sidomos Komisioni Evropian, pritet që të bashkëpunojnë me këtë bord edhe nëse vetë BE-ja nuk është formalisht pjesë  e saj.

Problemet e brendshme dhe hamendja e BE-së nuk duhen të jenë probleme të Kosovës. Dhe nuk duhet harruar se BE-ja sot e kësaj dite, as 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka qëndrim të qartë as për statusin e Kosovës dhe nuk është çudi të mos ketë as për situatën në Lindjen e Mesme./ Koha

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit