Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka publikuar pamjet nga aksioni i SPAK që zbuloi një call-center që mashtronte qytetarë të huaj, për të investuar fiktivisht në bursa dhe u merrte lekët.
Dokumentari tregon se SPAK ishte bërë gati të hynte në strofllën ku mashtroheshin qytetarët, në katin e 13 të kullës “Atti Tower” në qendër të Tiranës, por sapo shkojnë në zyra, ato i gjejnë bosh. Madje pamjet në fjalë tregojnë se ambienti është shumë i pastër dhe nuk gjenden prova të pranisë në këtë vend të një call-center.
Falë këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe gjurmimit të furgonave me të cilët u bë transportimi i pc-ve dhe të gjithë materialeve, u zbulua se call centre ishte transferuar në një tjetër kullë në Tiranë.
SPAK arriti në këto zyra, ku u arrestuan 5 të rinj, që thuhet se ishin duke punuar për shkatërrimin e provave, siç ishin hard diskqe apo dhe materiale të tjera.
Ndërkohë në këto ambiente ishte bërë gati një call-center i ri me 500 vende.









