Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj mazhorancës pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, duke e akuzuar atë për pengimin e hetimeve ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku dhe për dështimin e reformës territoriale.
Blushi ka theksuar se, edhe pse çështje të rëndësishme, si ajo e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, duhej të ishin diskutuar, mazhoranca nuk e ka vënë këtë në prioritet.
“Çështja më e rëndësishme që duhej të trajtohej sot ishte mbledhja e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, për të vendosur mbi kërkesën që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku. Nuk kishte asnjë arsye reale që mazhoranca të shtynte këtë vendimmarrje. Ndërkohë që Kuvendi nxjerr ligje për të ndëshkuar qytetarët për shkelje të vogla, krijohet një bllokadë e qëllimshme për të penguar drejtësinë të veprojë ndaj pushtetarëve të lartë,” u shpreh Blushi.









