Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, organizoi një konferencë të nivelit të lartë me temë “E drejta për liri dhe siguri personale nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, duke vënë në fokus problematikën e përdorimit të masës së paraburgimit në Shqipëri.
Takimi mblodhi ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët ndanë gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e legjislacionit dhe praktikave ligjore në vend.
“Përdorimi i tepruar i paraburgimit në Shqipëri është një problem serioz që cenon të drejtat e njeriut dhe prezumimin e pafajësisë. Aktualisht, rreth 58% e personave në burgjet tona janë të paraburgosur, një shifër që është shumë më e lartë se mesatarja evropiane. Kohëzgjatja mesatare e qëndrimit në paraburgim është 253 ditë, shumë më e gjatë se mesatarja e vendeve të BE-së. Ky është një problem që duhet adresuar urgjentisht,” u shpreh Lamallari gjatë fjalës së tij.
Ministri theksoi gjithashtu se Shqipëria, si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, duhet të përmbushë standardet e BE-së, duke adaptuar legjislacionin dhe praktikat e saj në përputhje me kërkesat ndërkombëtare. Ai shtoi se ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale janë të domosdoshme për të siguruar që të drejtat e njeriut, liria dhe siguria e individëve, të respektohen plotësisht.
“Reforma në drejtësi është një proces i domosdoshëm dhe që kërkon angazhim të plotë nga të gjitha institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë. Jurisprudenca e Strasburgut duhet të shihet jo si një kritikë e jashtme, por si një mundësi për të përmirësuar sistemin tonë të drejtësisë dhe për të siguruar një trajtim më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët,” përfundoi Lamallari.
/5pyetjet.al









