Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në ngjarjen tradicionale të “Ditës së Vasilopitës” organizuar nga Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, ku nënvizoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të thellë ekonomik mes dy vendeve.
Ai theksoi se Shqipëria mbetet një terren i favorshëm për investitorët dhe është e gatshme të nxjerrë potencialin e plotë të mundësive ekonomike.
“Unë mendoj se ka mundësi për më shumë dhe ka ende hapësira të mëdha për të rritur investimet e ndërsjella. Shqipëria ofron një terren solid për çdo investitor. Ekonomia jonë është dinamike, me një monedhë të qëndrueshme dhe një sektor bankar të shëndetshëm. Po ashtu, borxhi publik po menaxhohet me kujdes dhe ky është një ambient që garanton siguri dhe mundësi për rritjen e investimeve të huaja. Ne jemi të angazhuar për të krijuar kushte më të mira për investitorët që të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.”









