-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Venezuela shpall amnisti të përgjithshme dhe mbyll paraburgimin e El Helicoide

Kryesoret

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, njoftoi të premten, shpalljen e një amnistie të përgjithshme dhe mbylljen e qendrës famëkeqe të paraburgimit El Helicoide në Karakas, ku ishin dërguar të burgosur të cilët opozita dhe organizatat joqeveritare i konsiderojnë si të burgosur politikë.

Vendimi u mor para se të mbushej një muaj nga operacioni ushtarak i SHBA-së që çoi në kapjen e presidentit Nicolás Maduro.

“Vendosëm të avancojmë një ligj për amnisti të përgjithshme, i cili mbulon të gjithë periudhën e dhunës politike, nga viti 1999 e deri më sot”, deklaroi Rodríguez përpara Gjykatës së Lartë (TSJ), duke sqaruar se projektligji do të depozitohet në parlament.

“Bëhet fjalë për një ligj që do të ndihmojë në shërimin e plagëve të shkaktuara nga përplasja politike, e ushqyer nga dhuna dhe ekstremizmi. Kjo do të lejojë rikthimin e drejtësisë në shinat e duhura në vendin tonë dhe do t’i japë një drejtim të ri bashkëjetesës mes qytetarëve tanë”, shtoi ajo.

Presidentja e përkohshme premtoi gjithashtu mbylljen e burgut El Helicoide, i cili, sipas opozitës dhe organizatave për të drejtat e njeriut, funksiononte si qendër torturash.

“Vendosëm që ambientet e El Helicoide, të cilat sot shërbejnë si qendër paraburgimi, të shndërrohen në një qendër sociale, sportive, kulturore dhe tregtare për familjet e policisë sonë dhe komunitetet përreth”, deklaroi ajo.

Rodríguez njoftoi gjithashtu organizimin e një “konsultimi të madh kombëtar” për krijimin e një “sistemi të ri drejtësie” në vendin e Amerikës Latine, ku sipas OJQ-ve dhe opozitës, drejtësia konsiderohet e korruptuar dhe e nënshtruar ndaj pushtetit.

Në deklaratën e saj ishin të pranishëm figurat kryesore të pushtetit shtetëror: ministri i Brendshëm Diosdado Cabello, kryetari i parlamentit Jorge Rodríguez, ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino dhe prokurori i përgjithshëm Tarek William Saab.

Nën presionin e Uashingtonit pas kapjes së Nicolás Maduro-s, autoritetet venezueliane kishin premtuar më 8 janar lirimin e të burgosurve politikë. Megjithatë, sipas opozitës dhe OJQ-ve, lirimet po kryhen shumë ngadalë.

Autoritetet deklarojnë se mbi 800 të burgosur politikë, term që nuk ishte përdorur kurrë më parë zyrtarisht, janë liruar dhe se procesi ka nisur “para dhjetorit”, shumë përpara kapjes së Maduro-s nga forcat amerikane.

Organizata joqeveritare Foro Penal (“Forumi Penal”) e kundërshton këtë shifër, duke theksuar se ka regjistruar vetëm 383 lirime, përfshirë 266 që nga 8 janari.

Sipas Foro Penal, të paktën 711 të burgosur politikë, mes tyre 65 shtetas të huaj, vijojnë të mbahen në burgjet e vendit. Familjarë të të ndaluarve kanë ngritur kampe për ditë të tëra para burgjeve, në pritje të lirimit të të afërmve të tyre.

“Kjo është e mrekullueshme! Kanë kaluar gjashtë muaj dhe nuk kam asnjë lajm për djalin tim” dhe “është një gëzim i jashtëzakonshëm, amnisti, o Zot, liri e plotë”, tha Betsy Orellana pranë El Helicoide.

Ajo është nëna e Rodolfo Rodríguez, i arrestuar në vitin 2020 gjatë operacionit Gideon, një tentativë e dështuar për zbarkimin e mercenarëve të huaj në Venezuelë, e cila çoi në qindra arrestime.

“Nuk kam fjalë, vërtet, nuk mund ta imagjinoni sa shumë vuan një nënë”, shtoi ajo.

“Këto amnisti janë pozitive vetëm nëse nuk çojnë në pandëshkueshmëri”, komentoi kreu i Foro Penal. “Nëse amnistia synon që disa të shmangin drejtësinë në të ardhmen, nuk është amnisti, por një urdhër për pandëshkueshmëri”, theksoi ai.

“Nëse amnistia çon realisht në pajtim, me ndershmëri dhe transparencë, kjo do të ishte ideale”, por gjithçka do të gjykohet nga rezultati, pasi “nuk mund të përfshijë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, e aq më pak krime kundër njerëzimit”, shtoi Alfredo Romero.

Deputeti i opozitës Tomás Guanipa, dy vëllezërit e të cilit ndodhen ende në burg, shprehu shpresën se amnistia do t’i japë fund “epokës së represionit”.

Ai foli për “fillimin e rrugës që do të na çojë drejt lirisë dhe demokracisë, një herë e përgjithmonë”, në një intervistë për Agjencinë Franceze të Lajmeve në Karakas.

Udhëheqësja e opozitës venezueliane dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2025, María Corina Machado, nga Kolumbia fqinje, vlerësoi se këto lëvizje “nuk janë një gjest vullnetar i regjimit, por reagim ndaj presionit të qeverisë së SHBA-së”, duke shtuar: “Shpresoj që të burgosurit të ribashkohen së shpejti me familjet e tyre”.

“Kur represioni shpërbëhet dhe frika zhduket, aty përfundon tirania”, theksoi ajo.

Si shenjë e afrimit me Shtetet e Bashkuara, shefja e re e përfaqësisë diplomatike amerikane në Venezuelë, Laura Dogu, pritet të mbërrijë në Karakas, tha një burim diplomatik për AFP.

Emërimi i saj më 22 janar në postin më të lartë diplomatik amerikan pas ambasadorit shënoi një kthesë të re në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit, të ndërprera që nga viti 2019. Diplomacia amerikane njoftoi më herët se tashmë nuk ka asnjë shtetas amerikan të ndaluar në Venezuelë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit