Ka momente në historinë politike të një vendi kur problemet e tij nuk kanë të bëjnë thjesht me një individ, me një hetim penal, apo me një vendim institucional, por dëshmojnë një krize më të thellë morale.
Shqipëria përjeton sot një nga këta momente. Hetimi penal i Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku nga SPAK dhe këmbëngulja e Kryeministrit Rama për ta penguar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e saj nga detyra dhe për ta bllokuar, përmes shumicës parlamentare, heqjen e mandatit të saj si deputete, nuk janë thjesht çështje procedurash, as nuk përbëjnë thjesht një konflikt institucional. Ato përbëjnë një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj vetë kuptimit mbi barazinë e çdo qytetari para ligjit, një sfidë të hapur ndaj marrëdhënies mes ligjit si normë universale, dhe pushtetit si vullnet i pakontrolluar.
Në teori, barazia para ligjit është themeli mbi të cilin ngrihet rendi kushtetues modern. Në praktikë, te ne, ajo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një slogan i përdorur për legjitimitet simbolik, jo si një normë detyruese. Kur pushteti politik vendos se kush mund të hetohet dhe kush duhet të mbrohet, ligji pushon së qeni kufizim i pushtetit dhe shndërrohet në instrument të tij. Ky është momenti kur sundimi i ligjit fillon të zëvendësohet nga sundimi i vullnetit të një individi, apo një shumice parlamentare.
Roli i Kryeministrit në këtë proces është thelbësor. Ai po përdorur shumicën parlamentare, mbi të cilën ka pushtet absolut, për të bllokuar heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, duke e shndërruar Parlamentin nga një organ kontrolli, në mekanizëm mbrojtës të ekzekutivit. Kjo nuk është thjesht disiplinë partie; ky është neutralizim i një funksioni dhe detyrimi kushtetues.
Në çdo sistem kushtetues serioz, imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet nga persekutimi politik, jo për të mbrojtur zyrtarët nga përgjegjësia penale. Ai është një përjashtim i kufizuar, i justifikuar vetëm për të garantuar funksionimin e institucioneve demokratike. Sapo një prokurori e specializuar kundër korrupsionit kërkon zyrtarisht heqjen e imunitetit, prezumimi kushtetues anon qartazi në favor të hetimit ligjor. Në atë moment, detyra e Parlamentit nuk është kalkulimi i rrjedhojave politike, por bindja kushtetuese.
Duke e detyruar shumicën e parlamentit ta refuzojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të znj. Balluku, Kryeministri po e shndërron Parlamentin nga organ kushtetues në mburojë të pushtetit të vet. Në teorinë politike kjo quhet shndërrim i sundimit të ligjit në sundim të diskrecionit. Më shumë se dy shekuj e gjysmë më parë, Montesquieu paralajmëronte se liria humbet në çastin kur pushteti ekzekutiv nënshtron legjislativin dhe neutralizon drejtësinë.
Thomas Jefferson fliste shpesh për rrezikun e “despotizmit të zgjedhur” dhe “tiraninë e mazhorancës”, duke theksuar se “njëqind e shtatëdhjetë e tre despotë të mbledhur në një sallë mund të jenë po aq shtypës sa edhe një i vetëm”. Historia politike e demokracive e ka vërtetuar këtë shqetësim legjitim të tij.
Shumica nuk garanton drejtësi kur ajo i shërben verbërisht pushtetit, duke u bërë zgjatim i vullnetit të një individi që është në krye të saj. Këtu pikërisht qëndron iluzioni më i rrezikshëm mbi demokracinë formale: besimi se numrat neutralizojnë arbitraritetin. Në të vërtetë, kur shumica vepron si një turmë e regjimentuar dhe jo si një trupë që merr vendime pas konsideratash të vëmendshme dhe debatesh konstruktivë, ajo humbet karakterin përfaqësues. Në sociologji, kjo dukuri përshkruhet si përgjegjësi e shpërndarë, ku askush nuk ndihet personalisht përgjegjës për pasojat e veprimit të vet, pasi vendimi është “kolektiv”.
Hezitimi dhe zvarritja nga ana e Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë zgjidhje çështjes që ka marrë përsipër lidhur me vendimin për pezullimin nga puna të zëvendëskryeministres nën procedim penal e përkeqësojnë këtë gjendje dhe e thellojnë më tej këtë krizë. Në teorinë kushtetuese, gjykata është garant i kufijve normativë. Ajo ekziston për t’i vënë kufij pushtetit politik, jo për t’iu përshtatur atij. Nëse stepja përballë presionit politik e paralizon gjykimin kushtetues, Gjykata Kushtetuese i shmanget rolit të saj. Madje, neutraliteti i pretenduar mund të shndërrohet në miratim të heshtur dhe, me këtë, rrezikon prishjen e kontratës morale mes qytetarit dhe shtetit. Hans Kelsen vinte në dukje se, pa një gjyqësor të gatshëm për t’u përballur me abuzimet e ekzekutivit, garancitë kushtetuese mbeten thjesht në letër.
Nga një këndvështrim filozofik, ajo që po cenohet nuk është vetëm barazia formale e çdo individi para ligjit, por barazia morale. Kanti e shihte ligjin si shprehje të autonomisë dhe të dinjitetit njerëzor. Ligji humbet kuptimin etik kur zbatohet sipas statusit të individit dhe jo sipas normës. Një rend politik, në të cilin zyrtarët e lartë mbrohen nga hetimi, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen pa mburojë me organet e drejtësisë, nuk është një rend i drejtë, por një rend hierarkik.
John Rawls, një ndër filozofët e politikës më me influencë të shekullit të 20-të, do e quante një rend të tillë thellësisht të padrejtë. Një sistem i tillë nuk prodhon besim, por cinizëm; nuk prodhon bindje, por nënshtrim, nuk prodhon respekt, por frikë.
Argumenti mbi ndarjen e pushteteve dhe “stabilitetin” e punës së ekzekutivit përdoret nga Kryeministri për ta justifikuar këtë padrejtësi. Sociologjikisht, sidoqoftë, stabiliteti i ndërtuar mbi imunitetin e pushtetit dhe bllokimin e drejtësisë është i rremë. Shoqëritë nuk destabilizohen nga zbatimi i ligjit, por nga perceptimi se drejtësia është e pamundur, se ligji ndalet aty ku fillon pushteti. Kur drejtësia nuk guxon të trokasë në derën e qeverisë, ajo humbet autoritetin në sytë e shoqërisë.
Dua ta theksoj me zë të lartë atë çka po them: prezumimi i pafajësisë së kujtdo nuk përjashton hetimin ndaj askujt. Rasti në fjalë nuk ka të bëjë me një dënim politik. Kërkesa është shumë më e thjeshtë: drejtësia duhet të lejohet të bëjë pyetje dhe të sqarojë çështje me rëndësi publike të veçantë. Refuzimi për ta lejuar këtë është një akt pushteti, jo një akt kushtetues. Në këtë kuptim, Kryeministri nuk po mbron një bashkëpunëtore; ai po riafirmon një model qeverisjeje ku përgjegjësia ndalet aty ku fillon pushteti real.
Në fund të fundit, kjo nuk është çështje e një zyrtari apo e një shumice parlamentare. Kjo çështje ka të bëjë me parimet e republikës dhe shëndetin e demokracisë sonë. Kur shumica parlamentare shndërrohet në një mekanizëm përjashtimi dhe jo kontrolli, kur ajo i bëhet mburojë pushtetit ekzekutiv në vend që ta mbajë atë nën kontroll, kjo do të thotë se kemi hyrë në territorin e një despotizmi kolektiv.
Ky është momenti kur duhet të flasim hapur. Një demokraci nuk vdes kur ligji shkelet rastësisht, por kur shkelja e tij institucionalizohet. Sot, sfida nuk është vetëm për drejtësinë apo për një institucion të veçantë. Është një sfidë për vetë kuptimin e barazisë para ligjit. Nëse kjo barazi vlen vetëm për ata që nuk kanë pushtet, atëherë nuk kemi më një republikë kushtetuese, por një rend ku ligji administrohet nga lart dhe kërkohet të respektohet nga poshtë.
Nëse Jefferson i trembej despotizmit të mazhorancës, Shqipëria sot përballet realisht me këtë frikë. Çështja shtrohet nëse barazia e çdo qytetari para ligjit do të jetë vërtet një parim jetësor i shtetit ligjor, apo ajo thjesht do të mbetet një frazë e bukur në tekstin e Kushtetutës.









