Muzikanti portorikan Bad Bunny ka hyrë në histori duke u bërë artisti i parë që fiton çmimin “Albumi i Vitit” në Grammy me një projekt të kënduar tërësisht në spanjisht.
Albumi i tij Debí Tirar Más Fotos triumfoi ndaj emrave të mëdhenj si Lady Gaga, Kendrick Lamar dhe Sabrina Carpenter.
31-vjeçari, i cili pritet të performojë në spektaklin e Super Bowl javën e ardhshme, ia dedikoi çmimin emigrantëve, duke e kthyer ceremoninë në një mesazh solidariteti.
Bad Bunny u largua nga ceremonia me tre çmime, duke shënuar një moment historik për muzikën latine, e cila për vite me radhë ishte lënë në hije nga industria anglishtfolëse.
“Ky çmim është për të gjithë ata që lanë shtëpinë dhe vendin e tyre për të ndjekur ëndrrat,” tha ai me lot në sy.
Më herët gjatë mbrëmjes, kur fitoi çmimin për albumin më të mirë música urbana, ai u shpreh më drejtpërdrejt: “Para se të falënderoj Zotin, dua të them ICE ik,” tha ai, duke iu referuar oficerëve të emigracionit në SHBA, pas javësh tensioni në Minneapolis, ku u vranë dy civilë.









