Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbajtur një fjalim nga foltorja në degën 1 dhe 3 në Tiranë, ku dhe u ndal te situata ku po përballet opozita dhe qytetarët në Shqipëri, duke e cilësuar si të vështirë .
Duke bërë një paralelizëm me shkurtin e vitit 1991, Berisha theksoi se vetëm qëndresa dhe alternativa paqësore mund të çojnë në triumf, ndërsa akuzoi qeverinë se e ka ndërtuar mbijetesën e saj politike mbi sulmet e vazhdueshme ndaj opozitës.
“Jetojmë në një kohë të vështirë. Rikthehem në shkurtin e vitit 1991. Ata donin me çdo kusht të na tërhiqnin në konflikt, në përleshje. Ne jo, ne vazhduam në rrugën tonë.
Por ne triumfuam. Alternativa jonë paqësore, revolta jonë paqësore dominoi. Ne duhet të persistojmë. Unë e kuptoj çdo të thotë opozitë pas 13 vitesh. Ç’do të thotë persekutim pas 13 vitesh.
Sot kisha një grup të rinjsh në zyrë dhe njëri prej tyre më thotë: Doktor, të them të vërtetën unë nuk pyeta se çfarë mund të pësonin jo unë, por edhe prindërit e mi nga tatimorët e tyre, nga policia e tyre e me radhë. Çfarë tregonte kjo? Ai e ndjente mjedisin shtypës që kanë vendosur. Por idealist ama. Jo, tha, unë nuk pyeta.
Dhe ne kemi shumë nevojë të arrijmë në këtë konkluzion çdo shqiptar. Ka një faktor të tretë madhor të këtij regjimi që vepron kundër opozitës. Se ky regjim nga mëngjesi gjer në darkë, mbijetesën e bazon tek sulmi ndaj opozitës. Dhe ai përpiqet me të gjitha mënyrat të komprometojë, të korruptojë opozitën dhe opozitarët.
Një kryeministër që vepron në këtë mënyrë është një armik i egër i pluralizmit, i demokracisë dhe i vendit. Ai meriton çdo lloj ndëshkimi”, tha Berisha.









