Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Henrik Hoxhaj, ka vijuar këtë të enjte në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Plumbi i artë”.
Para trupës gjykuese, Hoxhaj ka dhënë detaje lidhur me një porosi të dyshuar për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, e cila sipas tij iu komunikua nga Nuredin Dumani.
Hoxhaj: Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë ditë. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin.
Prokurori: Kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?
Hoxhaj: Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më.
Prokurori: Një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?
Henrik Hoxhaj: Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty.
Ai shtoi gjithashtu se nuk ka pasur interes apo komunikim lidhur me Sanxhaktarin në ditën e arrestimit të tij.
Henrik Hoxhaj: Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar.
Gjatë seancës, prokuroria solli në vëmendje edhe një komunikim mes tij dhe Nuredin Dumanit.
Prokurori: Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro.”
Hoxhaj: Po, se nuk u mbarua puna, pra./ Euronews









