Aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara kanë bërë më shumë kompromise për Groenlandën sesa pranojnë publikisht, ka deklaruar zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance.
“Pa dyshim, kemi marrë shumë më tepër sesa fillimisht kishim”, tha Vance gjatë një interviste në emisionin Megyn Kelly Show.
Ai sugjeroi se “korniza e një marrëveshjeje të ardhshme”, e prezantuar nga presidenti Donald Trump muajin e kaluar do të ishte në dobi të SHBA.
Njoftimi i Trump erdhi si një lehtësim pas frikës në rritje se SHBA mund të përdorte forcën ndaj Danimarkës, një tjetër aleat i NATO-s, për të marrë ishullin semi-autonom arktik. Trump thotë se Groenlanda është e nevojshme për mbrojtjen ndaj mundësive të sulmeve nga Rusia dhe Kina. Si Danimarka, ashtu edhe Grenlanda kanë deklaruar se nuk do të pranojnë të cënojnë sovranitetin e tyre, ndërsa aleatët evropianë kanë dalë në mbështetje të tyre.
Groenlanda ka popullsi të rrallë, por vendndodhja e saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën të përshtatshme për sistemet e hershme të paralajmërimit në rast sulmesh me raketa.
Trump ka deklaruar pa prova se ishulli është “mbushur me anije ruse dhe kineze kudo”. Ai gjithashtu ka thënë se SHBA duhet të zotërojë Grenlandën për ta mbrojtur siç duhet.
Më shumë se 100 ushtarë amerikanë janë të stacionuar përherë në një bazë të SHBA në cepin veriperëndimor të Grenlandës, një objekt i menaxhuar nga SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA ka të drejtën të vendosë sa më shumë trupa të dëshirojë në Groenlandë. Vance nuk dha detaje për atë që përmbante plani i shpallur nga Trump, i cili nuk ishte i disponueshëm më parë për SHBA, por përsëriti se Kina dhe Rusia kishin interes për ishullin arktik.
“Është një nga rregullat e pashkruara që të gjithë e dinë: nëse kinezët ose rusët ndikojnë në ndonjë nga sistemet tona kritike të mbrojtjes nga raketat, ne domosdoshmërisht do ta mbrojmë atë. Por ne nuk po marrim asgjë për këtë”, tha zëvendëspresidenti amerikan.
“Le të rishkruajmë pak rregullat dhe të themi se nëse Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë sistemin e mbrojtjes nga raketat të gjithë botës, kryesisht tonin, por përfiton edhe pjesa tjetër e botës, duhet të marrim një përfitim nga kjo marrëveshje.”
Nuk është e qartë nëse Vance po i referohej burimeve natyrore të Groenlandës, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin dhe hekurin, që po bëhen më të lehta për t’u shfrytëzuar ndërsa akulli shkrihet për shkak të ndryshimeve klimatike. Shkencëtarët mendojnë se ishulli mund të ketë gjithashtu rezervë të konsiderueshme nafte dhe gazi. Trump ka thënë se “korniza e marrëveshjes” do të përfshijë akses në burimet minerale të Groenlandës. Zëvendëspresidenti amerikan akuzoi më tej aleatët evropianë për dyfytyrësi.
“Është shumë qesharake sepse evropianët janë shumë miqësorë në privat dhe janë të gatshëm të bëjnë shumë kompromise, por pastaj publikisht na sulmojnë”, tha Vance.
“Na vjen keq, kjo është e pavërtetë”, shtoi ai, duke nënvizuar: Idetë se ata nuk kanë bërë asnjë kompromis ose dhënë lëshime ndaj Shteteve të Bashkuara, nuk është e vërtetë.









