Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq 7 persona lidhur me vdekjen e 3-vjeçarit B.S., i cili humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në Kliniken “Splendent” në kryeqytet.
Hetimi ka përfunduar dhe ndaj dy mjekëve, një stomatologeje dhe një anestezisti është ngritur akuza për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërsa ndaj disa mjekëve të spitalit për “Shpërdorim detyre” dhe “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.
Ngjarja ndodhi më 28 shtator 2023, kur B.S. iu nënshtrua një ndërhyrjeje për mbushjen e 14 dhëmbëve. Pas ndërhyrjes, fëmija u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe ndërroi jetë më 1 tetor. Ekspertët mjekoligjorë zbuluan se ndërhyrja dhe anestezia ishin kryer me shkelje të protokolleve mjekësore, duke çuar në shok septik dhe insuficencë shumëorganore që shkaktoi vdekjen.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se dy stomatologët kanë mashtruar prindërit e të miturit duke iu marrë pagesë për një shërbim që nuk ishte kryer plotësisht. Mjekët janë akuzuar edhe për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm, pasi nuk kishin rinovuar licencat e tyre.









