Partia Demokratike ka dalë për herë të parë në mbrojtje të banorëve të Rrjollit të cilët protestojnë prej ditësh kundra ndërtimit të një resorti luksoz në tokat e tyre, nga investitori Bashkim Ulaj.
PD e degës Shkodër akuzon qeverinë dhe bashkinë për krimin mjedisor që po shkaktohet nga puna e makinerive të rënda në atë zonë.
Banorët e fshatit Rrjoll të Njësisë Adminsitrative Velipojë kanë vazhduar protestën dhe qëndresën e tyre dhe gjatë këtyre ditëve, madje disa ditë më parë kanë organizuar edhe një protestë para godinës së SPAK-ut, ku të pranishëm kanë qenë edhe disa mbështetës të forcave politike të cilët janë në opozitë.
Ata shprehen se do të qëndrojnë konsistent deri në fund dhe nuk do ta lejojnë ndërtimin e këtij resorti në pronat e tyre, ndërkohë Partia Demokratike ka thënë se do të qëndrojë në krah të interesit publik dhe të komunitetit.









