“Shpopullimi i Shqipërisë sot nuk është një fenomen natyror dhe as një zgjedhje e lirë e qytetarëve. Ai është pasojë direkte e keqqeverisjes, e mungesës së shpresës dhe e një shteti që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve të tij siguri ekonomike, drejtësi dhe dinjitet. Në këto vite, qindra mijëra shqiptarë janë detyruar të largohen nga vendi, jo sepse nuk e duan Shqipërinë, por sepse nuk shohin më të ardhme këtu. Arsyet janë të qarta: papunësia, pagat e ulëta, rritja e kostos së jetesës, korrupsioni i përhapur, mungesa e meritokracisë dhe kapja e shtetit nga një pakicë që qeveris vetëm për interesat e saj.”
Ajo ka theksuar se ky proces po dëmton të gjithë sektorët e jetës, duke zbrazur fshatrat, mbyllur shkolla, shkatërruar bujqësinë dhe varfëruar ekonominë. Sipas Banos, vendi po humbet të rinjtë, profesionistët dhe fuqinë punëtore më vitale për zhvillimin e tij. Ajo gjithashtu ka nxjerrë në pah vështirësitë që përballen studentët, të cilët, për shkak të mungesës së perspektivës, arsimimit të nënfinancuar dhe tarifave të larta, janë të detyruar të kërkojnë mundësi jashtë vendit.
“Shumë prej tyre shohin largimin nga vendi si të vetmen mundësi për një të ardhme më të sigurt. Kur një shtet i detyron studentët të ikin sapo diplomohen, ai po humbet trurin, energjinë dhe shpresën e brezit të ri,” – theksoi Bano. Ajo paralajmëroi se pasojat afatgjata të këtij fenomeni do të jenë të rënda për ekonominë, zhvillimin dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.