Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka zhvilluar një takim me shqiptarët e Kanadasë, ku ka diskutuar për situatën politike në Shqipëri dhe shqetësimet e komunitetit atje.
Gjatë bashkëbisedimit, ai ka kritikuar ashpër qeverisjen e Edi Ramës dhe ka theksuar se korrupsioni dhe lidhjet e pushtetit me krimin po ndikojnë negativisht në zhvillimin e vendit, duke shkaktuar largimin e shumë shqiptarëve të rinj dhe të arsimuar.
Këlliçi ftoi gjithashtu bashkatdhetarët që të jenë pjesë e protestës së 10 shkurtit, për të kërkuar ndryshime.
Reagimi i deputetit të PD, Belind Këlliçi:
Me bashkëkombasit tanë në Kanada, duke ndarë shqetësimin për zhvillimet e fundit në Tiranë.
Është e pabesueshme për këdo që Kryeministri të mbrojë korrupsionin haptazi, të bëhet pengesë për hetimin dhe drejtësinë dhe të mbajë deri në fund mbi ligjin zv/Kryeministren, zyrtarisht e pandehur për abuzimin deri më tani me 11 procedura, me 1.1 miliardë euro.
Është e pabesueshme këtu në Kanada se si Kryeministri ka caktuar një koordinator për krimin e bandat dhe merr prej tij verën 33 mijë euro shishja.
Është kjo arsyeja që diaspora jonë atje po rritet dhe nuk po ndodh e kundërta që ata të kthehen në atdhe. Në rastin e Kanadasë ndodh rrjedhja e trurit, pasi vijnë specialistë dhe të rinj të arsimuar apo profesionistë të shkëlqyer.
Në këtë takim, gjeta dy miq të mitë që kishin mbërritur muajin e fundit.
Të dy të shkolluar dhe profesionistë të zotët e opozitarë ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Të gjithë janë në një mendje se farsa në zgjedhjet e fundit, nuk u dha në fakt atyre të drejtën e përfaqësimit. Përkundrazi, shërbeu si fasadë!
Padrejtësia që po ndodh çdo ditë në Shqipëri, qeverisja e keqe, lidhja e pushtetit me krimin, janë revoltuese.
Ndaj bashkëkombësit tanë janë me ne, në rezistencën tonë ndaj të keqes.
Dhe po bëjnë shumë për të ndërgjegjësuar të afërmit e tyre që të jenë pjesë e protestës së 10 shkurtit.
Nesër në orën 17:00, bashkohemi me energji, me pasion, me dashuri për vendin tonë, para zyrës së krimit dhe korrupsionit.
Falënderime pafund degës së PD në Kanada, kryetarit tonë Ilirjan Proko, kryesisë dhe anëtarëve të cilët organizuan këtë takim fantastik dhe më bënë të ndjehem si në shtëpi.









