Më 18 janar 2022 biznesmeni Lulëzim Masha ra pre e një atentati në mes të Tiranës. Ndaj tij u qëllua disa herë por plumbat nuk e kapën. Henrik Hoxhaj, ka dëshmuar sot në GJKKO në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dhënë detaje të reja nga ky atentat. Mësohet se pas tentativës për ta eliminuar fshihen pikërisht dy vrasësit serial Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani.
Hoxhaj tregon se kishte pajtuar Skerdi Tasen për të vrarë Lulzim Mashën. Tase kishte qëlluar ndaj biznesmenit por nuk e kishte eliminuar dot. Ndërkohë sipas Henrik Hoxhajt, Nuredin Dumani i kishte thënë se duhej të vritej djali i Lulëzim Mashës, por duke qenë se nuk po e gjenin dot të birin, menduan që t’i eliminonin të atin, në mënyrë që në varrim të shfaqej djali i Mashës dhe ta ekzekutonin. Për kokën e djalit të Lulzim Mashës ishin paguar 150 mijë euro, ndërsa për biznesmenin, 100 mijë.
Hoxhaj: 150 mijë euro për djalin, 100 për të atin. Për Lulzim Mashen, porosinë për këtë rast Nuredini ma ka dhënë në Kosovë, në Gjilan, atje rrinte. Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashes, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre. Armën për ngjarjen na e dha “sakati”, Nuredini na lidhi me të, kjo armë u përdor, por i ngeci për dreq Skerdit atë ditë, unë kisha bërë edhe prova, dy ditë para kisha qëlluar. S’po e gjenim të birin dhe menduam të godisnim të atin që të vinte ky nga jashtë, kështu i bënim ne këto punë. Kur bëmë ngjarjen ndaj Lulzim Mashës, unë dëgjoja çdo gjë në radio, se kisha radio policie. Skerdi doli huqi dhe i ngeci arma, në radio jepeshin përshkrimet e tij, me këtë bluzë, kaq i gjatë, etj.









