-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

BE mirëpret krijimin e institucioneve të reja të Kosovës

Kryesoret

Formimi i qeverisë së re të Kosovës cilësohet si një zhvillim inkurajues pas më shumë se një viti bllokim politik. Drejtuesja e BE të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian Kaja Kallas uroi Albin Kurtin për zgjedhjen kryeministër i qeverisë së Kosovës, duke thënë se “ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës”.

“Ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë. Jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, shkroi Kallas në platformën X, duke paralajmëruar kështu një takim ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas Kallas, pas krijimit të qeverisë së re, ajo që ka rëndësi është që të ecët me shpejtësi me reformat. “Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të pasur përparim në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi më tej Kallas.

Kurti: Dialog konstruktiv, jo ndërhyrje në çështje të brendshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve të Kuvendit foli shkurt edhe për normalizimin e raporteve me Serbinë, duke kërkuar dialog konstruktiv. “Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv, marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve si raport i jashtëm, e jo ndërhyrje në çështje të brendshme”, tha Kurti.

Ndër punët e para të qeverisë së tij, Kurti përmendi domosdoshmërinë e miratimit në parlament të marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me marrjen e fondeve të BE-së për Kosovën, të bllokuara prej një viti.

Kos: “Lajm i mirë nga Prishtina sot

Edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e përshëndeti formimin e qeverisë së re të Kosovës dhe uroi kryeministrin Kurti, duke u shprehur se “pret me padurim për të vizituar Kosovën”. “Lajm i mirë nga Prishtina sot. Kuvendi është në detyrë. Një qeveri e re ka marrë detyrën. Urime Kryeministër Albin Kurti. Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe sjelljen e përfitimeve të plota të Planit të Rritjes në Kosovë”, shkroi Marta Kos në platformën X.

Böttcher: Gjermania një partnere e fortë dhe e besueshme
Ndër të parat nga ambasadat e vendeve të BE-së në Kosovë që përshëndeti konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së Kosovës ishte Ambasada Gjermane në Prishtinë, përmes zëvendësambasadorit Christian Böttcher. “Duke u ndërtuar në marrëdhënie të ngushta dhe unike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, mezi presim të vazhdojmë dhe thellojmë më tej bashkëpunimin tonë bilateral në fushat e ekonomisë, sigurisë, politikës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kosova nuk ka vetëm një mik, por një partner të fortë dhe të besueshëm – Gjermaninë”, shkroi Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë./ DW

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit