Përplasjet brenda pushtetit në Maqedoni për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe po thellohen. Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, jo vetëm që i hodhi poshtë akuzat e BDI-së për pengimin e provimit të jurisprudencës në shqip, por doli hapur edhe kundër qëndrimit të kryeministrit, duke mohuar mundësinë aktuale për ndryshim ligjor.
“Për momentin, një mundësi e tillë nuk ekziston, mbetemi të hapur për diskutim”, tha shkurt Fillkov. Në lidhje me akuzat e BDI-së se po e pengon dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, për çka ata paralajmëruan edhe inicimin e përgjegjësisë penale, Fillkov i quajti këto deklarata si tema nacional-romantike, të rëndësishme për politikanë të shekullit të kaluar.
“Vlerësoj se temat nacional-romantike janë të rëndësishme për ata politikanë të shekullit të kaluar. Ne punojmë fort dhe me vendosmëri për stabilitet, prosperitet dhe sundim të ligjit. Tema që i interesojnë edhe qytetarët tanë. Gjithçka tjetër do të mbetet në anën e trishtuar të historisë”, porositi Fillkov në një deklaratë për gazetarët sot.
Lidhur me vërejtjen e Bilall Kasamit nga partneri i koalicionit VLEN, se ai po luan me kartën patriotike sepse e di që nuk do të jetë në qeverinë e ardhshme, Fillkov u përgjigj ftohtë se “kur ai të jetë kryeministër, do të tregojë kush do të jetë ministër e kush jo”, ndërsa “deri atëherë sundimi i ligjit, përkatësisht respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve, do të vlejë për të gjithë”.
Përndryshe kryeministri Hristijan Micksoki disa ditë më parë kishte thënë se se do të përgatisë ligj me të cilin provimi i jurisprudencës do të bëhet edhe në gjuhën shqipe. Ai tha se ka vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet, ndërsa shtoi se pas përgatitjes së ligjit, i njëjti do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias dhe më pas të implementohet.
“Gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe në përdorim ndërkombëtar është gjuha maqedonase, por gjithashtu gjuhë zyrtare është edhe shqipja, përkatësisht gjuha e bashkësisë që është mbi 20 për qind.
Ky është amendamenti 5, i cili zëvendëson nenin 7 të Kushtetutës, dhe aty qëndron shumë qartë se komunikimi në institucionet e administratës shtetërore mund të zhvillohet edhe në gjuhën e bashkësisë që është mbi 20 për qind, pasi kjo të përcaktohet me ligj. Ne duhet që këtë proces të dhënies së provimit fillimisht ta përcaktojmë me ligj. Ligji, ashtu siç është tani, nuk lejon një lloj të tillë të dhënies së provimit. Unë jam i gatshëm që kjo të rregullohet me ligj”, kishte deklaruar kryeministri, Hristijan Mickoski.
BDI kërkon përgjegjësi për mosorganizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar situatën si shkelje me elemente të përgjegjësisë penale. Sipas BDI-së, pengimi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve përbën keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe moskryerje të detyrës.
“Refuzimi për organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është më vetëm shkelje administrative. Në këtë fazë, kemi elemente të përgjegjësisë penale. Pengimi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës përbën bazë për përgjegjësi penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, sipas Kodit Penal, kur një zyrtar publik, me vetëdije, nuk zbaton ligjin dhe u mohon qytetarëve një të drejtë të garantuar.
Gjithashtu, mosveprimi i qëllimshëm për zbatimin e ligjit dhe krijimi i praktikës përjashtuese ndaj gjuhës shqipe përmban elemente të moskryerjes së detyrës zyrtare, kur një organ shtetëror refuzon të veprojë edhe pse ka detyrim ligjor të qartë”, thonë nga BDI.
Qëndrime të kundërta sa i përket provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Fillkov ka pasur edhe me zv/kryeministrin Bekim Sali. (koha.mk)









