Policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Zëmblaku”, ku janë arrestuar 3 persona, pasi u zbuluan duke shpërndarë lëndë narkotike. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe pas kontrolleve në një lokal në fshatin Zëmblak, Maliq, ku u gjetën kokainë dhe cannabis sativa.
Në kuadër të operacionit, u arrestuan A. C., 36 vjeç, dhe dy të tjerë, A. H. dhe P. Gj., që dyshohet se ishin përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e narkotikëve. Po ashtu, gjatë kontrollit u sekuestruan armë, para, celularë dhe automjete, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.









