Në një deklaratë të bërë së fundmi, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka theksuar se nuk ka urgjencë për të nisur një dialog të drejtpërdrejtë me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai ka shpjeguar se aktualisht po përgatiten kushtet dhe kërkesat që do të diskutohen, duke theksuar se është më e rëndësishme që të punohet së bashku me partnerët evropianë për këtë proces.
“Nuk është çështje ditësh, po i përgatitim gjërat. Mendoj se tani duhet të punojmë mbi atë që duam të kërkojmë,” tha Macron.
Presidenti francez, i cili ka shprehur dëshirën për të rifilluar bisedimet me Putin që në dhjetor të vitit të kaluar, theksoi gjithashtu se këto bisedime duhet të jenë të përgatitura mirë dhe të jenë të mbështetura nga vendet evropiane.
”Ky diskutim me Vladimir Putin duhet të përgatitet midis evropianëve në mënyrë që, në momentin e duhur, të jemi të gatshëm. Dhe ne çfarë duam? Duam garanci sigurie për Ukrainën, por gjithashtu duam diçka edhe për evropianët”, shtoi ai.









