Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur pak pas mesnate në një hotel në Tiranë, ku një 18-vjeçare u vetëplagos me armë zjarri. Adoleshentja Natalia Murtati, ka një plumb në gjoks. Gjatë natës është operuar dhe fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në dëshminë e dhënë pasi është përmendur është shprehur se “kam bërë gabime në jetë dhe desha të vras veten”, pa dhënë detaje. Ngjarja ka ndodhur te hotel “Gjuta” në Sauk.
Të marrë në pyetje, anëtarët e familjes Gjuta, të cilët kanë fshehur ngjarjen, paraprakisht kanë deklaruar se vajza mund të vdiste dhe për shkak se tentativa për vetëvrasje ndodhi në biznesin e tyre, kishin frikë se do t’u faturohej atyre autorësia.
Si ndodhi ngjarja
Vajza ka qenë vetëm në dhomë të gjumit kur ka marrë armën dhe ka qëlluar veten. Sajmir Gjuta dhe Erisjaldo Gjuta kanë qenë jashtë dhe kanë dëgjuar të shtënat.
Kur kanë hyrë në dhomë kanë parë vajzën të vetëplagosur dhe kanë thirrur edhe anërët e tjerë, Mirvete Gjuta dhe Vladimir Gjuta, dhe kanë vendosur që të pastrojnë vendin e ngjarjes, kanë marrë e fshehur armën, kanë larë gjakun ndërsa Mirvete Gjuta dhe Elvir Gjuta (i dashuri i 18-vjeçares) janë nisur me makinë për ta dërguar në spital dhe janë porositur të deklarojnë që “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”.
Pas hetimit, rezultoi se vajza në fakt ishte vetëplagosur në hotelin e tyre. 18-vjeçarja dyshohet se ka tentuar edhe herë të tjera të vetëdëmtohet.
Lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar shtetasit Vladimir Gjuta, 46 vjeç dhe Mirvete Rexhmati(Gjuta), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërsa ka shpallur në kërkim shtetasit Sajmir Gjuta, 49 vjeç, dhe Erisjaldo Gjuta, 24 vjeç, (babë e bir) për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi Elvir Gjuta, 22 vjeç (i dashuri i adoleshentes), për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”/ Vizion plus









